Komuna e Podujevës sot ka shpërndarë pajisje për 100 bletarë llapjanë, transmeton Llapi.info
Në ceremoninë e shpërndarjes së pajisjeve ishte Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, i shoqëruar nga drejtori i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Vezir Januzi.
Me këtë rast, kryetari i Podujevës, Agim Veliu, premtoi rritjen e mbështetjes për këtë sektor, që, sipas tij, po zhvillohet me sukses.
“Sot po shpërndajmë pajisje për bletarët llapjanë. Ky është projekti i dytë që po subvencionojmë sivjet në fushën e bletarisë, sepse muaj më parë kemi shpërnda shoqëri bletësh. Ne jemi të përkushtuar për ta mbështetur këtë sektor, duke vlerësuar suksesin dhe angazhimin e bletarëve llapjanë”, tha kryetari Veliu.
Veliu me këtë rast tha se mbështetja për këtë sektor po sigurohet edhe përmes bashkëpunimit me donatorë.
Ndërsa drejtori i Bujqësisë, Vezir Januzi tha se ky është projekti i katërt i subvencionimeve që po realizohet nga kjo drejtori. Ndërsa aktiviteti i radhës do të jetë shpërndarja e sistemit të ujitjes për përfituesit e dredhzës industriale dhe bimëve aromatike, projekt ky që po realizohet në bashkëpunim me USAID-in./Llapi.info