Janë bërë 75 vjet nga vrasja e heroit Jahja Fusha nga paramilitarët serbë. Ai lindi më 27 dhjetor të vitit 1919 në Podujevë, në një familje humaniste, arsimdashëse, heroike, historikisht të dëshmuar atdhetare të Llapit, shkruan Llapi.info.

Jahja ishte intelektuali i parë i Llapit dhe një patriot i madh. Veprimtaria e Jahja Fushës ka vulë historike në çerdhet e shëndosha atdhetare në tokat shqiptare e botërore.

Kuvendi themelues i Lidhjes së Dytë të Prizrenit, seancën e tretë e mbajti më 18 shtator 1943, me këtë rend të ditës: “Bashkimi i Mitrovicës me Shqipërinë”.

Përfaqësuesi i Besianës, patrioti Jahja Fusha, konfirmoi fuqimisht dëshirën dhe kërkesën e Llapit për t’u bashkuar me Shqipërinë.

Jahja Fusha emërohet komandant i zonës verilindore të Kosovës dhe e mbajti frontin deri në likuidimin e tij pas torturave shtazarake në Prishtinë bashkë me patriotin dhe eprorin e lartë ushtarak, Emrush Myftari. Në atë vend u pushkatuan mbi 300 patriotë.

Jaha pati rastin të largohet nga vendi, teksa nuk pranoi të ikë por u sakrifikua për vendin e vet. Ai ra heroikisht më 17 dhjetor të vitit 1944, në moshën 25-vjeçare. Për fat të keq, eshtrat e tyre nuk u gjetën kurrë, por ata lanë gjurmë në kombin shqiptar./Llapi.info