Për katër muaj Kompania Ujësjellësi Rajonal ”Prishtina” sh.a. ka njoftuar të gjithë konsumatorët në zonën e shërbimit se nga 25 janari 2018 ka filluar masat ndëshkuese për të gjithë borxhlinjtë e shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit.

Me shkyçje po përballet secili konsumator që ka dy e më shumë fatura të papaguara ndaj shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit.

Brenda katër muajve janë realizuar mbi 700 shkyçje nga sistemi i rrjetit të ujësjellësit, janë vizituar mbi 3000 konsumatorë borxhlinj dhe janë dërguar te përmbaruesit privatë rreth 1200 lëndë të konsumatorëve që nuk janë të rregullt ndaj shërbimeve të ujësjellësit.

Veç në muajin prill 2018 janë shkyçur 170 konsumatorë, thuhet në njoftimin e dërguar nga KRU “Prishtina”.

Në shkyçje janë të përfshira tetë komunat në të cilat operon ky ujësjellës: Prishtina, Fushë-Kosova, Obiliqi, Podujeva, Shtimja, Drenasi, Lipjani dhe Graçanica, me fshatra përreth. Aksioni do të vazhdojë deri në fund të vitit 2018.

Borxhi total i konsumatorëve ndaj KUR ”Prishtina” sh.a. është rreth 50 milionë euro.

KUR ”Prishtina” sh.a. fton konsumatorët që t’u përgjigjen pozitivisht të gjitha obligimeve financiare për shërbimet e ujësjellësit dhe kanalizimit, në mënyrë që të evitojnë shkyçjen nga shërbimet.

Kjo kompani e ujësjellësit u bën thirrje të gjithë konsumatorëve që kanë përfituar nga Ligji për Faljen e Borxheve Publike që të respektojnë në përpikëri kontratat për riprogramimin e borxhit, gjithnjë duke paguar këstet e përcaktuara sipas kontratës së nënshkruar nga të dyja palët.

Sipas komunikatës së ujësjellësit, duke filluar nga data 1 shkurt 2018 të gjithë konsumatorëve që kanë përfituar nga Ligji për Faljen e Borxheve Publike dhe nuk i janë përmbajtur Kontratës për pagesën me këste të borxhit të riprogramuar, do t’u rikthehet borxhi i falur, bazuar në Ligjin për Faljen e Borxheve Publike.