Qeveria shqiptare, përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit do të investojë 5 milionë euro në zonën e Alpeve të Shqipërisë gjatë vitit 2019, në projekte infrastrukturore për të zhvilluar turizmin e zonës.
Drejtori i fondit Benet Beci deklaroi në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin se, për zonën e Alpeve është bërë një nga studimet më të mira.
“Ne kemi financuar disa projekte në funksion të zhvillimit të zonës me Bankën e Këshillit të Europës dhe qeverinë shqiptare”, tha ai.
Beci parashtroi përpara deputetëve të komisionit, projektet që do të zhvillohen gjatë vitit të ardhshëm nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në zonën e Alpeve të Shqipërisë.
“Dy projekte të rëndësishme, në Pukë dhe Ulëz, kemi bërë dy ndërhyrje nga më të bukurat. Në Vermosh, në Tamarë, në Valbonë kemi bërë disa ndërhyrje të rëndësishme”.
“Koncepti ynë për këtë zonë është një përqasje e re, gjithmonë në funksion të zhvillimit të turizmit. Në këto zonë do të ndërtojmë sheshe, do të hapim shtigje për turistët, do të ndërtojmë disa godina multifunksionale në shërbim të turistëve”, shpjegoi ai.
Gjithashtu, Beci bëri me dije se vitin tjetër nis ndërtimi i rrugës së Thethit me gjatësi 20 km, që financohet nga BERZH.