Bulevardi i Dëshmorëve në Podujevë, në pjesën e parë, është afër fazës finale, shkruan Llapi.info.
Në këtë pjesë kanë nisur vendosja e ulëseve dhe drunjve dekorativë. Kështu ka thënë një postim në Facebook, kreu i Podujevës, Shpejtim Bulliqi.
“Me bashkëpunëtorë për disa çaste qëndruam në “Bulevardin e Dëshmorëve” ku përcollëm punimet të cilat po zhvillohen në finalizimin e këtij projekti. Këto ditë, ka filluar vendosja e ulëseve, po mbillen drunjtë dekorativë, po ndërtohen fontanat dhe po gjelbërohen hapësirat rreth tyre. Shpejt do të kompletohet e gjithë infrastruktura në pjesën e parë të projektit”, ka shkruar ai.
Ditë më parë, Bulliqi ka deklaruar se punime janë duke u kryer me dinamikë të shtuar, derisa ka thënë se të njëjtat pritet të përfundojnë në muajin korrik.
“Punimet në realizmin e projektit Ndërtimi i bulevardit dhe sheshit “Sheshi i Dëshmorëve” në qendrën e qytetit, po shkojnë drejt finalizimit. Pas përfundimit të punimeve në njërën pjesë të bulevardit, ku ditë më parë u mbollën edhe drunjtë dekorativë, kompania punëkryerëse është duke vazhduar punimet me dinamikë të shtuar në pjesën tjetër të bulevardit të segmenti i Rrugës “Zahir Pajaziti” nga kryqëzimi i Rrugës “Dr.Bajram Krasniqi”, kryqëzimi i rrugës “Ilir Konushefci” deri te kryqëzimi i Rrugës “Xhemajl Mustafa. Në bazë të dinamikës së zhvillimit të punimeve, besojmë se në muajin korrik, koha kur në vendin tonë vijnë edhe bashkatdhetarët, qyteti ynë do ta ketë të finalizuar projektin e ndërtimit të bulevardit dhe sheshit “Sheshi i Dëshmorëve” – shëtitoren në qendrën e qytetit”, ka shkruar ai.
Duhet theksuar se fillimi i ndërtimit të sheshit pati nisur në janar të vitit 2020, ndërkohë që në pjesën e parë tashmë janë hequr edhe barrierat e vendosura për shkak të sigurisë./Llapi.info