Nënkryetarja e Komunës së Podujevës, Marigona Lahu, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e Organizatës për Zhvillim Rural “Mëshqerra” të udhëhequr nga drejtoresha, Florentina Kida-Gërguri, me të cilët ka diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit edhe gjatë këtij viti, njofton Llapi.info.

Në takimin e nënkryetares Marigona Lahu dhe drejtorit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (DBPZHR), Vigan Salihu, me përfaqësuesit e Organizatës “Mëshqerra” u bisedua për projektin që Komuna e Podujevës së bashku me këtë organizatë e kanë realizuar vitin e kaluar dhe për mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen.

Me këtë rast nënkryetarja Lahu, ka falënderuar përfaqësuesit e Organizatës “Mëshqerra” për bashkëpunimin e suksesshëm dhe ka shprehur gatishmërinë për ta vazhdur bashkëpunimin edhe këtë vit.

“Në emër të Komunës së Podujevës ju falenderoj për bashkëfinancimin e projektit të vitit të kaluar me ç’rast u mbështetën 46 blegtorë llapjanë. Bazuar në këtë sukses, shpreh gatishmërinë tonë për ta vazhduar bashkëpunimin edhe këtë vit, bazuar në kërkesat e shumta për mbështetje që vijnë nga sektori i blegtorisë”, tha nënkryetarja Lahu

Në këtë takim përfaqësuesit e Organizatës “Mëshqerra” kanë folur për shërbimet, që këtë vit do të ofrohen për blegtorët që kanë përfituar, ku përfshihen këshillime, kujdes shëndetësor dhe shërbime të tjera në një afat dy-vjeçar.

Ndërsa, drejtori i DBPZHR-së, Vigan Salihu, është zotuar që kjo drejtori do t’i përmbushë obligimet karshi marrëveshjes dhe ka shprehur gatishmërinë e vazhdimit të bashkëpunimit në sektorin e blegtorisë, pasiqë shumë blegtorë, që i plotësojnë kushtet, kanë mbetur pa përfituar herën e fundit shkaku i numrit të kufizuar.

Në takim palët janë dakorduar që edhe këtë vit të bashkëpunojnë në mbështetjen e blegtorëve llapjanë, sepse edhe komuna ka planifikime buxhetore për këtë sektor./Llapi.info