Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 20 vjetorit të çlirimit të Podujevës, kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, sot ka vendosur solemnisht gurthemelin për ndërtimin e 20 shtëpive në Lagjen e Dëshmorëve në Balloc të Podujevës, njofton Llapi.info
Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, me rastin e vendosjes së gurthemelit për ndërtimin e 20 shtëpive të reja në Lagjen e Dëshmorëve, tha se ndjehet i lumtur që ndërtimi i këtyre shtëpive po fillon në kuadër të aktiviteteve që shënojnë 20 vjetorin e çlirimit të Podujevës.
“Projekti i ndërtimit të shtëpive në këtë lagje do të vazhdojë derisa ta largojmë edhe familjen e fundit, të vendosura në objektet montazh të banimit”, tha kryetari Veliu.
Pas ndërtimit të gjitha shtëpive, kryetari Veliu tha se, në këtë lagje do të rregullohet e tërë infrastruktura rrugore dhe ndriçimi publik.
Ndërtimi i shtëpive në Lagjen e Dëshmorëve është projekt i përbashkët i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Komunës së Podujevës.
Në kuadër të këtij projekti deri tash janë ndërtuar 70 shtëpi për familjet, të cilat që nga përfundimi i luftës jetonin në objektet montazh të kësaj lagjeje./Llapi.info