Leotrim Vojvoda, njëri prej të dënuarve në grupin e terroristëve që planifikuan sulmin e parandaluar ndaj kombëtares së Izraelit, në Shkodër, është dorëzuar në burgun e sigurisë së lartë, pas dënimit me gjashtë vite burgim. Vojvoda mbrohej në liri, ndërsa në ditën kur u dha dënimi ai nuk ishte paraqitur në gjykatë.
Lajmin e ka konfirmuar për Gazetën Express, avokati i Vojvodës, Skënder Musa.
Ai tha se klienti i tij, ishte në punë kur u dha vendimi i gjykatës, ndaj nuk është paraqitur në sallën e gjyqit të Prishtinës, të premten e shkuar.
Por, sipas tij, menjëherë pasi është njoftuar për dënimin prej gjashtë vitesh burgim për terrorizëm, që Gjykata Themelore e Prishtinës ka shqiptuar ndaj tij, Leotrim Vojvoda është paraqitur në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz.
Gjykata, të njëjtën ditë, ndaj Leotrim Vojvodës kishte caktuar masën e paraburgimit, për shkak të lartësisë së dënimit, pasi i njëjti gjatë procesit gjyqësor ishte mbrojtur në liri, shkruan Gazeta Express.
Leotrim Vojvoda bashkë me Visar Ibishin si lider i grupit, dhe tetë të tjerë janë dënuar të premten me 35 vite e gjysmë burgim në total, pasi sipas aktgjykimit është vërtetuar se grupi në fjalë nën urdhrat e Lavdrim Muhaxherit kishin planifikuar të hidhnin në erë tifozët dhe lojtarët e kombëtares së Izraelit, nëntorin e vitit 2016, gjatë ndeshjes kualifikuese më Shqipërinë. Të njëjtit, sipas gjykatës, në të njëjtën kohë kishin vënë në cak sulmi edhe institucionet shtetërore dhe ato diplomatike në Kosovë.