Ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami ka thënë se nuk e di arsyen se përse nuk po kthehen 2.1 milionët e vjedhura në Thesarin e Shtetit, derisa dihet se ato janë shpërndarë nëpër subjekte ekonomike dhe individë.
Këto komente Bajrami i bëri në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike pas pyetje që adresoi anëtari i komisionit Eman Rrahmani, i cili parashtroi pyetje për Ministrinë e Financave rreth këtij procesi.
“A keni marrë hapa edhe a kemi garanci se nuk do të ndodhin vjedhje të tilla ashtu siç ka ndodhur ky i 2.1 milionëshit dhe a është marrë diçka në lidhje me atë ose a janë kthyer ato mjete, apo si është situata”, pyeti deputeti Rrahmani.
Në përgjigjen e tij zëvendësministri i Financave, Ilir Kapiti deklaroi se për këtë çështje janë në pritje të përgjigjes nga Prokuroria e Shtetit.
“Edhe ne presim një përgjigje nga Prokurori që merret me këtë çështje dhe besoj që së shpejti do të vijnë me ndonjë përgjigje, e cila do t’u jepet të gjithëve. Sa i përket asaj që një gjë e tillë mos të ndodhë, kemi ndërmarrë të gjithë hapat. Kemi kontakte dhe takime të përditshme me Thesarin dhe Raport Javor në ministri për rrjedhën e punës në Thesar. Besoj që të gjitha elementet, të cilat kanë qenë inkriminuese dhe elemente që kanë lënë hapësirë të bëhen gjëra të tilla janë eliminuar”, tregoi zëvendësministri i Financave.
Përgjigje në pyetjen e deputetit të VV-së, pati edhe kryetarja e këtij Komisioni, Hykmete Bajrami e cila në kohën kur ndodhi vjedhja e 2.1 milionëshit ishte në krye të Ministrisë së Financave.
“Të gjitha siguresat janë vendosur në kohën sa kam qenë atje. Janë marrë masat qysh në ditët e para. Janë vendosur siguresa shtesë për secilin hap të transaksioneve në Thesar në atë kohë. Si rezultat i saj, pagesat sot kryhen me pak vonesë, nuk është procesi i shpejtë siç ka qenë. Ajo që është thënë gjithmonë, faktikisht unë nuk besoj që edhe zëvendësministri dhe kushdo tjetër që mund të garantojë që gjëra të tilla mos të ndodhin. Aty nuk ka sistem i cili në mënyrë automatike është i mbrojtur. Personat në fjalë e kanë keqpërdorur detyrën zyrtare dhe si rezultat ka ardhur deri tek ai keqpërdorim. Prokuroria i ka pasur informacionet qysh në ditën e parë. Edhe mua më intereson të di pse mjetet nuk po kthehen kur dihet se ato mjete kanë shkuar nëpër subjekte ekonomike dhe individë prej një vepre kriminale. Është dashur që mjetet të kthehen ndërkohë gjykimi të merr edhe kohën e duhur”, tha Bajrami.
Në tetor të vitit të kaluar mbi 2.1 milionë euro janë vjedhur nga Thesari i Kosovës.
Lidhur më këtë rast Policia e Kosovës ka arrestuar L. G., punëtor i Thesarit, i cili dyshohet se ka bërë transferimin e parave përmes katër transaksioneve të ndryshme, në llogari të kompanisë LDA Group.