Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, po qëndron në Austri, ku sot ka takuar ministren e Punëve të Jashtme austriake, Karin Kneissl, me të cilën ka diskutuar për procesin integrues të Kosovës dhe në veçanti liberalizimin e vizave.

„E njoha nga afër me procesin integrues, të arriturat dhe sfidat, reformat e ndërmarra dhe zbatimin e MSA-së. Të arriturat tona nuk do të ishin në këtë nivel pa përkrahjen e shteteve mike, edhe Austrisë, e cila në çdo etapë të zhvillimit të shtetit tonë, ishte krah nesh, ashtu do të ndodh edhe në të ardhmen“, ka thënë ministrja Hoxha, sipas një komunikate të lëshuar nga MIE.

Hoxha ka shtuar se integrimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare është me prioritet si dhe heqja e barrierave që bien në kundërshtim me vlerat e BE-së. 

Në veçanti, Hoxha kërkoi nga ministrja e Jashtme e Austrisë të ndihmojë në përshpejtimin e vendimmarrjes për liberalizimin e vizave duke pasur parasysh rëndësinë e qëndrimit të shteteve anëtare për këtë proces, thekson komunikata.

“Ministrja e Punëve të Jashtme, Kneissl potencoi rëndësinë e reformave dhe zbatimi i MSA-së. Gjithsesi, ceku ajo, Austria përkrah fuqishëm Kosovën në të gjitha angazhimet e saj, në veçanti procesin integrues dhe liberalizimin e vizave”, bën të ditur MIE.