Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me ministrin e Mbrojtjes Armend Mehaj dhe komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjeneral-lejtënant Rrahman Rama, pritën sot në një takim komandantin e Gardës Kombëtare të Iowa-s, gjeneral major Benjamin J. Corel.
Në takim u bisedua lidhur me mundësitë e zgjerimit dhe thellimit të bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Iowa-s, në fushat e sigurisë dhe mbrojtjes.
Kurti u shpreh mirënjohës për mbështetjen amerikane në përgjithësi dhe shtetit të Iowa-s në veçanti dhënë Kosovës, në periudhat para, gjatë dhe pas shpalljes së pavarësisë. Ai theksoi rëndësinë e anëtarësimit në NATO, duke theksuar se Kosova nuk ka alternativë tjetër përveç NATO-s, SHBA-së dhe BE-së.
FSK-ja, siç tha kryeministri, është institucion që gëzon shumë respekt. Ai nënvizoi nevojën për zhvillimin e mëtutjeshëm të aftësive dhe rritjen e kapaciteteve dhe sigurimin e pajisjeve të reja dhe të avancuara për FSK-në.
Duke folur për procesin e bashkë-zbarkimit të kontingjentit të FSK-së krahas trupave amerikane në misionin paqeruajtës në Kuvajt, kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e vazhdimit të dërgimit të ushtarëve të Kosovës në misione paqeruajtëse, krahas SHBA-së, aleatit strategjik të Kosovës.
Komandanti i Gardës Kombëtare të Iowa-s vlerësoi lart raportin shembullor që shteti i Iowa-s ka me Kosovën.
Ministri Mehaj theksoi se me rritjen buxhetore prej mbi 100 milionë euro për vitin e ardhshëm, rriten edhe mundësitë për zhvillim dhe forcim të mëtejmë të FSK-së.