Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) përmes një kumtese për media ka vlerësuar se testi i maturës shtetërore ka përfunduar në të gjitha rajonet me sukses pjesën e parë të afatit.
“Maturantët e rajonit të Pejës dhe Mitrovicës kanë qenë të fundit që i janë nënshtruar testit të Maturës Shtetërore 2018 (pjesa e parë e afatit të parë), i cili këtë vit për herë të parë është mbajtur përgjatë katër ditëve në gjithë Kosovën. Në ditën e fundit, pra në rajonin e Pejës dhe Mitrovicës, sipas raporteve nga terreni, procesi i testimit ka shkuar shumë mirë dhe sipas planifikimit.
Ndërsa, gjatë kësaj dite, numri i nxënësve që u janë gjetur telefona mobil ka qenë shumë i vogël”, thuhet në njoftimin për media të kësaj ministrie, përcjell KosovaPress.Tutje sipas tyre, gjatë katër ditëve të pjesës së parë të Testit të Maturës nuk është evidentuar ndonjë parregullsi që do të bënte testin të pavlershëm.
Pjesa e dytë e afatit të parë, do të mbahet me datat 5, 6, 7 dhe 8 qershor 2018. /KosovaPress/