Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, i ka dhënë lamtumirën e fundit Adem Demaçit përmes një postimi të shkurtër në Facebook.

“Kontributi dhe rezistenca e jashtëzakonshme e Adem Demaçit për liri gjatë okupimit serb, do të përkujtohet e do të nderohet brez pas brezi nga qytetarët e Kosovës, por edhe më gjerë. Baca Adem ishte një disident i pathyeshëm dhe një jokonformist që i duhej botës shqiptare.
Në këto çaste më bien ndër mend fjalët e Presidentit Rugova i cili thoshte se: “Demaçi është shkrimtar i harmonisë shqiptare dhe njerëzore, humanist i madh”. Andaj, Baca Adem, u prehsh i qetë në dheun e Kosovës së lirë, për të cilën sakrifikove aq shumë!”, ka shkruar Mustafa.

Gjatë ditës së sotme ka pasur një sërë reagimesh ndaj zyrtarëve të LDK-së të cilët në numër shumë të ulët kanë marrë pjesë në ceremonitë kushtuar veprës së Demaçit, dhe po ashtu edhe në varrimin e tij.

Mustafa tash e sa muaj është në regjim shtëpie për shkak të sëmundjes së tij.