Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka vizituar Lagjen Stublla në Podujevë, ku është duke u ndërtuar ura mbi lumin Llap, transmeton Llapi.info.

Në kuadër të investimeve kapitale në projektet infrastrukturore në qytet, në lagjen Stublla të Podujevës është duke u ndërtuar ura e re mbi lumin Llap.

Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, bashkë me drejtorin e Shërbimeve Publike, Faik Muçiqi, kanë vizituar këtë lagje për të përcjellë punimet në realizimin e këtij projekti.

Me këtë rast kryetari Veliu ka përgëzuar banorët e lagjes për realizimin e këtij projekti të rëndësishëm.

“Kjo urë lehtëson lëvizjen e qytetarëve dhe e bën më të lehtë lidhjen e kësaj pjese të qytetit me rrugën magjistrale Podujevë-Prishtinë”, tha kryetari Veliu.

Ndërtimi i kësaj ure është njëri nga katër projektet e realizuara në ndërtimin e urave në territorin e Komunës së Podujevës, nga 10 sosh që janë planifikuar për ndërtim nga Drejtoria e Shërbimeve Publike./Llapi.info