Qendërsulmuesi i Real Madridit, Karim Benzema, ka arritur t’i shënojë 17 gola këtë sezon, po aq sa ylli i Juventusit, Cristiano Ronaldo. Megjithatë, francezi e ka arritur këtë numër të golave me më pak tentime sesa portugezi.

Benzema është duke kaluar në një formë të mirë gjatë kohës së fundit në Real Madrid, madje aq sa ai ka arritur t’i barazojë statistikat e Ronaldos për këtë sezon, transmeton Gazeta Express.

Që të dy lojtarët i kanë shënuar nga 17 gola këtë sezon, mirëpo Benzema e ka arritur këtë shumë me 47 goditje më pak drejt portës (72 në krahasim me 119 goditjet e Ronaldos), dhe pa asnjë penallti. Pesë nga 17 golat e Ronaldos kanë ardhur nga 11-metërshi.


“Më vjen keq për ata që e kanë zbuluar Benzemën vetëm javën e kaluar. Por, keni kohë ta ndizni televizionin dhe t’i shikoni ndeshjet tona”, tha Solari për gazetarët mbrëmë, pasi Benzema i shënoi dy gola.
Largimi i Ronaldos duket se i ka shërbyer për të mirë Benzemës, pasi që francezi i kishte shënuar vetëm 12 gola sezonin e kaluar. Me 14 ndeshje më pak të zhvilluara këtë sezon, Benzema i ka shënuar katër gola më shumë.
Mbrëmë, kundër Gironës, ai ishte mjaft mbresëlënës, përkundër që luajti vetëm për 58 minuta të ndeshjes. Ai i kompletoi 30 pasime gjatë kësaj ndeshjeje, më shumë sesa numri mesatar i pasimeve për ndeshje, 28.
Që nga fillimi i vitit 2019, Benzema ka statistika dukshëm më të mirë sesa Ronaldo. Benzema i ka ndihmuar Real Madridit me pesë gola, ndërsa Ronaldo Juventusit me dy.