Meqë Komuna e Prishtinës gravitohet ditën e nesërme për shkak të 1 Majit nga një numër i madh automjetesh dhe qytetarësh nga qytetet e tjera të vendit, Policia e Kosovës në bashkëpunim me KK- Prishtinë, do të veproj në të gjitha rrugët të cilat lidhen me rrugën kryesore që lidhë qytetin me parkun e Gërmisë.
Si rezultat do të formohen pikat e kontrollit me qëllim të ndalimit dhe udhëzimit të automjeteve, si dhe vendosjen e rregullit përgjatë atyre rrugëve, njofton Klan Kosova.
Ky veprim do ndodhë për të evituar bllokadat në rrugë, kolonat e gjata të automjeteve, aksidentet eventuale, për të mundësuar një transport publik të qytetarëve në suaza të normales.
Në këtë kontekst, policia do të ndaloj dhe ri drejtoj të gjitha veturat përveç atyre të banorëve të lagjeve që lidhen më parkun Gërmia (Sofali, Tauk Bahqe), autobusëve të Trafikut Urban, automjeteve të Emergjencës, të Hortikulturës, KRM “Pastrimi”, Drejtorisë së Inspeksionit të KK Prishtinë, KFOR-it, EULEX-it si dhe veturave të PK-së, të cilat janë të angazhuara në këtë operacion, njofton Klan Kosova.
Ndalja dhe ri drejtimi i të gjitha veturave do të bëhet në:
Kryqëzimin e rrugëve “1 Tetori”, “Nazim Gafurri” dhe “Ymer Lutfi Paçarizi”; (Kryqëzimi Velani)
Kryqëzimin e rrugëve “Nazim Gafurri”, “ Xhavit Ahmeti” dhe “ Dr. Lec Gradica”; (Kryqëzimi te ish rruga Bledi)
Kryqëzimin e rrugëve “Dr. Shpëtim Robaj” me atë të Sofalisë në drejtim të Pishinës dhe parkut “Gërmia”.
Përveç patrullave që do të jenë prezent në atë pjesë të qytetit, Drejtoria Rajonale e Policisë do të vendos edhe një pikë statike (automjet të policisë), për të qenë sa më pranë qytetarëve për tu ofruar shërbime sa më të mira sigurie.
Njësitet policore të DRP- Prishtinë, do t’i mbulojnë edhe akset rrugore që shpien në drejtim të liqenit të Batllavës dhe atij të Badovcit, pasi që ato zona gjatë shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Punës, gjithashtu frekuentohen nga qytetarë të shumtë.
Operacioni në fjalë do të filloj të implementohet që në orët e hershme të datës 01.05.2012, andaj për të përballuar sa më lehtë rrethanat që do të paraqiten me këtë rast në qarkullimin rrugor, kërkojmë ndihmën, besimin dhe mirëkuptimin e gjithë qytetarëve dhe veçanërisht lusim qytetarët e kryeqytetit që të shmangin lëvizjet e tyre me vetura, njofton Klan Kosova.