12 mijë e 500 euro është shuma e cila do të ndahet për vitin 2018 për Teatrin e Qytetit të Podujevës, “Avdush Hasani”.
Kjo shumë është miratuar sot nga pozita në rendin e ditës në seancën e rregullt në Kuvendin Komunal të Podujevës, me kërkesë të Drejtoreshës për Kulturë, Rini dhe Sport, Donikë Sfishta.
Mirëpo, këtë shumë nuk e kanë miratuar partitë opozitare në Podujevë, pasi që sipas tyre kjo shumë është e vogël, shkruan Llapi.info.
Kështu Këshilltarët nga radhët e VV-së, Lirika Maliqi dhe Fitim Haziri, kanë thënë se arti në Komunën e Podujevës ka mbetur prapa si rezultat i mos investimeve.
Sipas Maliqit, Kultura në Podujevë është lënë pas dore me vite të tëra.
“Komuna e Podujevës ka bërë fare pak për zhvillimin e talenteve. Duke i parë mundësitë e buxhetit, kultura është e diskriminuar në çdo ndarje buxhetore. Andaj, vëmendja faktorëve komunal duhet të drejtohet në këtë kahje, në kulturë për ta zhvilluar atë. Parimisht duhet të mbështet teatri sepse kështu ndërtohet kultura. Ne kërkojmë mbështetje më të madhe për kulturën në përgjithësi, andaj VV e abstenon këtë kërkesë”, ka thënë ajo.
Edhe PDK-ja nuk e votoi këtë kërkesë për 12 mijë e 500 euro.
“Kërkoj që të futet kërkesa për 18 mijë e 500 euro. Përndryshe për 12 mijë e 500 euro abstenojmë me formën e mbështetjes”, ka thënë Rafet Llapashtica.
Mirëpo, me shumicë votash të pozitës ky rend ditës u miratua në Sallën e Kuvendit Komunal të Podujevës në vlerë prej 12 mijë e 500 euro nga buxheti i Komunës./Llapi.info