Që nga e hëna, deri më sot, në Komunën e Podujevës janë konfirmuar 120 qytetarë pozitivë për COVID-19 120, raporton Llapi.info.
Rastet i ka konfirmuar edhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, ndërkohë që të mërkurën u regjistruar numri më i madh i rasteve në këto ditë, gjithsej 38 raste.
Në 24-orët e fundit, IKSHPK ka thënë se në rajonin e Podujevës janë regjistruar pozitivë për COVID-19 21 persona.
Prej tyre, 3 janë në Bradash, 3 në fshatin Sfeçël, 2 raste në qytet, 2 raste në Lladoc dhe nga një rast në fshatrat; Balloc, Batllavë, Dobratin, Dumosh, Halabak, Herticë, Llapashticë e Epërme, Peran, Revuçë, Siboc i Epërm dhe Tërnavë.
Që nga fillimi i pandemisë, e deri më tani, numri i të infektuarve në Llap ka arritur në rreth 5 mijë. Deri tash janë raportuar 59 viktima, kurse rreth 4 mijë pacientë janë shpallur të shëruar.
Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme, në mbledhjen e Shtabit Emergjent Komunal, epidemiologia e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), Bedrie Rama, ka thënë se situata me virusin korona në Podujevë, sipas saj, është e menaxhueshme.
Komandanti i Stacionit të Policisë, majori Isak Ejupi, tha se janë duke zbatuar planin operativ në përputhje me Ligjin anti-Covid. Ai tha se gjatë kësaj jave janë shqiptuar 156 gjoba për mos respektim të masave mbrojtëse nga Covid-19. Komandanti potencoi bashkëpunimin e ngushtë me inspeksionin komunal, duke thënë se vazhdimisht janë të angazhuar në teren për zbatimin e masave në parandalimin e përhapjes së pandemisë.
Kurse, drejtori i Administratës, Bahri Selimi tha se administrata komunale është duke vazhduar punën me staf esencial dhe se është duke respektuar vendimet e Qeverisë për zbatimin e masave anti-Covid. Drejtori Selimi theksoi se aktualisht në administratën komunale nuk ka ndonjë rast të identifikuar pozitiv me Covid-19.
Drejtori i Arsimit, Avni Fetahu tha se gjatë kësaj jave ka vizituar disa shkolla, në të cilat, sipas tij, gjendja është stabile, dhe pavarësisht kontakteve të nxënësve, numri i të infektuarve është i vogël./Llapi.info