Vajzat e mitura në shumë raste janë viktima të ngacmimeve, sulmeve e dhunës seksuale. Kjo shpesh ndodh edhe nga personat e rritur, të cilët përkundër moshës minorene të viktimave, krijojnë lidhje intime me to dhe i shfrytëzojnë seksualisht, duke rënë kështu ndesh me ligjin, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur së fundi në fshatin Miradi e Poshtme në Fushë Kosovë, ku një vajzë e mitur doli mëngjesin e djeshëm nga shtëpia për të shkuar në shkollë, por nuk u kthye më mbrapsht.

Sinjali mëson se babai i të miturës, i shqetësuar për vajzën e tij, ka kërkuar ndihmën e Policisë së Kosovës, duke thënë se ajo mund të jetë në praninë e një personi të rritur, për të cilin ka deklaruar se nuk e njeh.

Ky denoncim ka aktivizuar Policinë të cilët kanë filluar kërkimet që të mund të lokalizohet vendndodhja e vajzës 13-vjeçare.

Ankthi mori fund pas mesnatës, kur babai bashkë me vajzën janë paraqitur në stacion policor dhe e mitura është rrëfyer para hetuesve policorë dhe në praninë e Qendrës për Punë Sociale.

Bazuar në dëshminë e saj, Sinjali mëson se gjatë kohës që ajo nuk kishte qenë në shtëpi , ka qëndruar me një 19-vjeçar në disa villa në Bardhosh.

Në kuadër të veprimeve hetimore, 13-vjeçarja është dërguar për ekzaminimin mjekësor, ndërsa i dyshuari ka rënë në prangat e Policisë.

19-vjeçari është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga hetuesit lidhur me veprën për të cilën dyshohet.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Sulm seksual’.