Kanë vazhduar aksionet në Podujevë për t’i dalë në ndihmë Shqipërisë pas tërmetit shkatërrues që deri më tani ka lënë 49 të vdekur dhe mbi 900 të lënduar, njofton Llapi.info.

Pas grumbullimeve të gjërave materiale, sot edhe në xhamitë e Podujevës janë grumbulluar të holla për zonat e prekura nga tërmeti. Sipas këshillit të Bashkësisë Islame të Podujevës, 15 mijë euro janë mbledhur sot nga llapjanët.

“Në iniciativën e përbashkët të të gjitha xhamive të Kosovës, sot edhe Këshilli i Bashkësisë Islame në Podujevë, respektivisht imamët me xhematin e tyre, në gjitha xhamitë e Podujevës kanë mbledhur shumën në vlerë prej 15 mijë Euro. Këshilli i Bashkësisë Islame në Podujevë, respektivisht kryetari Osman Kurtolli falënderon mbarë qytetarët llapjanë për mbështetjen si dhe imamët për organizimin në terrenet e tyre. Ky fond do të dorëzohet në kontot e hapura nga Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës që ka për destinim mbështetjen vëllezërve e motrave tona në disa qytete të goditura nga tërmeti në Shqipëri”, thuhet në njoftim.

Nga tërmeti shkatërrues në Shqipëri kanë mbetur të vdekur 49 persona dhe mbi 900 të tjerë janë plagosur, ndërsa shumë shtëpi e pallate tashmë janë të pabanueshme./Llapi.info