Klubi nga Podujeva, KF Llapi sot ka prezantuar transferimin e radhës, njofton Llapi.info.
Për dallim nga shërbimet e lojtarëve tjerë, Llapi sot ka prezantuar një 16-vjeçar. Bëhet fjalë për mesfushorin Alket Bajrami, i cili po cilësohet si njëri nga futbollistët më premtues.
Bajrami ka nënshkruar sot në ambientet e klubit kontratë dyvjeçare.
“Mesfushori 16 vjeçar me tipare ofensive, Alket Bajrami, nga dita e sotme është pjesë e KF Llapit. Me kontratën e nënshkruar, KF Llapi sot ka arritur t’i siguroj shërbimet e njërit ndër futbollistët më premtues dhe më të talentuar në Kosovë. Alketi vie nga kategoria e Kadetëve U17 të FC Prishtinës. Alket Bajrami, 16 vjeç, i lindur më 06.12.2003 në Prishtinë. Alketi është i biri i ish-futbollistit të KF Llapit, Emin Bajrami. Alketi luan si mesfushor ofenziv dhe me talentin që posedon pritet të ndjek rrugën e shumë futbollistëve që nga KF Llapi do arrijnë Evropën. Talenti i tij ka rënë në sy të drejtuesve të klubit, të cilët e blinduan me kontratë 2 vjeçare”, ka njoftuar klubi.
Ndërkohë, krahas transferimeve, Llapi ka shkëputur kontrata me lojtarë të tjerë, gjersa largimi i fundit ishte ai i Enis Zabërgjës./Llapi.info