Pasi kompania e tij nuk mori parasysh erën e fortë në Prishtinë, dhe nuk ndali punën në sektorin e ndërtimtarisë, një 53 vjeçar ra nga ndërtesa dhe humbi jetën dje në vendin e punës. Në lidhje me këtë rast u arrestua një person.
Fatkeqësisht, ky nuk ishte rasti i vetëm i kësaj natyre që ndodhi këtë vit, shkruan lajmi.net.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka bërë të ditur për lajmi.net se numri i punëtorëve që humbën jetën në vendin e punës gjatë këtij arrin deri në 17.
Ai akuzon edhe pronarët e kompanive, të cilëve sipas tij nuk u intereson mirëqenia e punëtorëve.
“Është e rëndë që për momentin kemi 17 raste të vdekjeve e që është rekord këtë vit. Gjithë ajo furtunë e madhe, dhe pronarët e kompanive mos të largojnë punëtorët deri sa të pushojë ai moment, shihet që qëllimi i tyre është që të punojnë sa më shumë pa marrë parasysh jetën e punëtorëve”, ka thënë Azemi për lajmi.net.
Azemi kritikon edhe ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, që sipas tij nuk ka marrë asnjë masë për mbrojtjen e punëtorit në sektorin privat.
“Faktikisht se çfarë ka bërë ministria e Punës po shihet, shpeshë herë mund të dalim edhe me informacione se po bëjnë disa edukime të punëtorëve, mirëpo kjo nuk qëndron, ose më mirë kjo qëndron veç në letër. Ne nuk jemi duke bërë asgjë për ta. Ajo se çfarë po ndodhë është se në momentin kur po vdes një punëtor ata po thirren në ngushllime dhe me kaq po përfundon”, ka thënë tutje ai.
Azemi përmendi edhe rastin e vrasjes së të riut në Deçan, gjatë kohës sa ai ishte në vendin e punës, ku theksoi se tentativat që këtë vrasje ta inskenojnë si vdekje aksidentale, janë shumë të rënda për familjen.
“Fatkeqësisht tani kemi raste ku edhe vdekjen e tyre, kqyrim me i trillu, derisa e patëm një rast në Deçan ku kryetari i komunës thotë se ka qenë aksident. Merreni me mend se sa e lëndon familjen dhe shoqërinë një qasje e tillë. Këto veprime janë diçka që tregojnë se jeta e punëtorit nuk është në rend të parë tek ne”, ka thënë në fund Azemi.
Lajmi.net ka tentuar të kontaktojë edhe me ministrin e Punës dhe Mirëqenies, Skënder Reçica, mirëpo që nuk ka marrë përgjigje.