Sindikata e Policisë së Kosovës ka reaguar në lidhje me rastin e mbrëmshëm ku dy zyrtarë policorë kanë pësuar një aksident në rrugën Hani i Elezit-Kaçanik duke rënë në lumin Lepenc dhe të cilët ende nuk janë gjetur.

“Rasti i mbrëmshëm i fatkeqësisë aksidentale me ç’rast akoma nuk dihet për fatin e dy zyrtarëve policorë, na ka trondit dhe shqetësuar shumë. Këtë dhimbje dhe shqetësim jemi duke e bashkëndjerë me familjarët, me gjithë punonjësit e Policisë së Kosovës dhe qytetarët e vendit tonë”, nis reagimi i Sindikatës policore.

Kjo Sindikatë thotë ka kohë që janë duke kërkuar të fillojë implementimi i sigurimit shëndetësor, por që një gjë e tillë ende nuk është realizuar.

“U bë shumë kohë e gjatë që jemi duke kërkuar që sa më parë të fillojë implementimi i sigurimit shëndetësor, po ashtu, kërkuam që punonjësit e Policisë së Kosovës të kenë sigurimin alternativ dhe aksidental, mirëpo, mjerisht akoma nuk po hasim në mirëkuptim te institucionet kompetente vendore që të gjejnë zgjidhje dhe t’i japin epilog pozitiv kësaj çështje”, thotë kjo Sindikatë.

Sindikata e Policisë së Kosovës thekson se të gjithë punonjësit e Policisë së Kosovës janë të vetëdijshëm për sfidat dhe rreziqet që bartë ushtrimi i këtij misioni, mirëpo, “është tepruar me vonesën, për ne e pa justifikueshme, që edhe pas 18 vitesh prej themelimit të Policisë së Kosovës të mos kemi sigurimin shëndetësor, aksidental dhe jetësor”.

“Edhe ky rast i rëndë dhe i dhimbshëm ku akoma nuk dihet për fatin e dy zyrtarëve policorë që nga mbrëmë, por edhe rastet e deritashme të punonjësve të rënë në detyrë e që janë 17 deri më tani, janë dëshmi se urgjentisht dhe pa humbur kohë institucionet e vendit duhet të zgjidhin këtë çështje kruciale – jetike për punonjësit e Policisë së Kosovës”, përfundon reagimi i Sindikatës së Policisë së Kosovës.