Janë arrestuar 18 persona gjatë të mërkurës në një operacion të gjerë bastisjeje në Prishtinë dhe Ferizaj.

Në gjithë këtë operacion përpos Prokurorisë Speciale të Kosovës në hetime u përfshi edhe Prokuroria e Përgjithshme nga Bambergu i Gjermanisë.

Deri te kjo erdhi pasi personat e dyshuar në këtë rast kanë joshur dhe mashtruar qytetarët e ndryshëm nga Gjermania përmes platformave online “Call center” duke iu ofruar për të investuar në aksione të ndryshme, gjë që ka bërë që të dyshuarit të përvetësojnë shuma të mëdha të hollash.

Në lokacionet e bastisura u gjetën dhe u sekuestruan edhe gjësende tjera.

“Janë sekuestruar gjashtë (6) vetura, 160.300 euro dhe një numër i konsiderueshëm i kompjuterëve, serverëve dhe telefonave mobil e të cilët janë shfrytëzuar për kryerjen e veprave penale”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Të gjithë të dyshuarit e arrestuar me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë dërguar në mbajtje.