Policia e Kosovës ka shënuar sot 19 vite që nga themelimi i saj. E edhe pas gjithë kësaj periudhe, ende nuk ka sigurime jetësore për këtë kategori.
Që nga themelimi i Policisë së Republikës së Kosovës, afër 20 pjesëtarë të saj kanë humbur jetën në vendin e punës, ndërkaq që numri i të lënduarve konsiderohet të jetë shumë i madh, shkruan lajmi.net.

Megjithë këtë, sigurimet shëndetësore dhe jetësore po mungojnë në këtë institucion të sigurisë.

Shaban Tasholli nga Sindikata e Policisë së Kosovës, ka thënë sot për lajmi.net se megjithë premtimet e bëra deri më tani, Institucionet e Kosovës nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim në këtë drejtim.

Ai shton se Institucionet e Kosovës po bazohen në atë për sigurimet shëndetësore për nivel kombëtar, mirëpo thotë se është e pakuptimtë që kjo deri më tani nuk ka ndodhur për policinë e shtetit.

“Nuk ka asnjë lëvizje në këtë drejtim, siç e dini edhe ju institucionet e Kosovës po bazohen në nivelin kombëtar, jo duhet të mblidhen fondet, jo nuk mund të mblidhen, mirëpo defakto asgjë nuk ka deri më tani. Ne kemi pasur shkresa takime e të gjitha, nuk është interesant më asgjë nëse nuk bëhet sigurimi shëndetësor. Ne kemi pasur premtime që do të ketë edhe rritje të rrogave mirëpo pa sigurim shëndetësor vërtetë është e pakuptimtë”, tha Tasholli për lajmi.net.

E se situata nuk është hiç e mirë po e thonë edhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Zëvendësministri, Isa Xhemajlaj, tha për lajmi.net se situata nuk është për t’u pëlqyer, mirëpo shtoi se për një gjë të tillë, duhet dakordim dhe me Ministrinë e Financave dhe me atë të Administratës Publike.

“Ne si MPB e kemi marrë dhe jemi duke pa me e rregullu këtë çështje, pavarësisht që sigurimin shëndetësor nuk e ka kërkush në Kosovë, dhe kjo shkon në nivl të vendit. Ndërkaq sa i përket shërimet mjekësore, janë spitalet kontraktuese në të cilat dërgohen policët. Kjo për policët, vërtetë është një gjendje hiq e mirë, veçanërisht për institucionet e sigurisë. Kjo cështje duhet dakordim edhe me MAP dhe Ministrinë e Financave për fondet e sigurimit shtetërorë”, deklaroi Xhemajlaj për lajmi.net.

Lajmi.net ka kontaktuar edhe drejtorin ekzekutiv të Shoqatës së Sigurimeve, Sami Mazrekun. Ai ka thënë se sipas asaj që është thënë deri më tani, kjo çështje nuk do të rregullohet deri në rishiqimin e buxhetit.

Duke mohuar se përfitimet e kompanive të sigurimeve është arsye për insistimin që kjo çështje të rregullohet, Mazreku thotë se ideja kryesore është tek puna e mirë dhe e palodhshme e Policisë së Kosovës.

“Deri sot nuk ka diçka të re, dhe sipas komisionit parlamentar dhe ministrisë së Financave nuk ka me pas asgjë deri në rishiqimin e buxhetit. Kjo mund të ndodhë eventualisht kur të bëhet plani për vitin e ardhshëm që kjo të vendoset si kosto shtesë. Unë kam propozuar, mirëpo ata po lidhen me sigurimin shtetëror, dhe ne kemi propozuar që të ndahet një fond i veçantë që të paktën me fillu një gjë e tillë. Ideja është që kur ka numër të madh të siguruarve, nuk është që kompanitë do të kenë një lloj përfitimi, ideja është që policia për punën që e bëjnë nuk është imazh i mirë edhe për jasht, dihet që Policia e Kosovës ka nevojë për një gjë të tillë”, ka thënë Mazreku.

Kujtojmë se rasti i fundit i policëve të rënë në detyrë që tronditi opinionin ishte aksidentimi i dy pjesëtarëve në rrugën Kaçanik-Han i Elezit.

Pas disa ditë kërkimesh, trupat e tyre të pajetë u gjendën në lumin Lepenc