Sot bëhen 20 vite prej ndarjes nga jeta e ish-luftëtarit të UÇK-së, Shefki Kuleta.

Kuleta ishte pjesëmarrës aktiv në demonstratat e viteve 1988-89.

Pas daljes në skenë të UÇK – së, Shefkiu pa hezituar lajmërohet në Zhilivodë të komunës së Vushtrrisë, ku vendos kontaktet e para me Fatmir Humollin dhe me kushëririn e vet, Agimin, i cili pat vepruar një kohë të gjatë në ilegalitet. Më pas, në korrik të vitit 1998, shkon në bazën rekrutuese në Bajgorë, ku kryen edhe stërvitjet e nevojshme ushtarake.

Pas Betejës së njohur të Kaqanollit, më 15, 16 e 17 shtator 1998, Shefkiu u bashkohet shokëve të luftës. Pas themelimit dhe zgjerimit të strukturave ushtarake në ZOLL, formohet edhe njësiti “Kështjella -26” të vepronte në anën e djathtë të magjistrales Prishtinë – Besianë. Gjatë kësaj kohe Shefkiu angazhohet për të kryer edhe shumë punë të tjera kërkohej të mbaheshin vazhdimisht lidhje me qytetin e Prishtinës.

Shefkiu mori pjesë në shumë beteja të zhvilluara në Zonën e Llapit, ndërsa herën e fundit ishte përgjegjës i njësitit “Kështjella – 26”. Në ditën e pranverës, 21 mars 1999 pushtuesi serb ndërmerr një ofensivë të ashpër në trevën e mbuluar nga Zonën Operative e Llapit. Shefkiu përsëri ishte në vijën e parë të frontit dhe iu kishte afruar shumë afër pozicioneve të armikut me mortajë dore dhe me automatik. Në këtë betejë ai bie heroikisht në fushën e nderit.

Pas luftës, për kontributin e dhënë për lirinë e atdheut, familja e dëshmorit është nderuar me disa mirënjohje si nga SHP i UÇK-së, nga SHP i ZOLL-it, SHFD në Besianë, KK i Besianës etj. Ndërsa sot shkolla e fshatit e mban emrin e dëshmorit të kombit Shefki Kuleta./Llapi.info