Kanë kaluar 20 vjet prej kur në shtëpinë e Ferdonije Qerkezit në Gjakovë nuk festohet asnjë festë. Lufta në Kosovë e ka shkatërruar lumturinë e saj. Forcat serbe ia rrëmbyen bashkëshortin Halimin dhe katër djemtë, Artanin, Armendin, Ardianin, dhe Edmondin. E shtëpia që dikur ishte plotë, tani ka vetëm kujtimet e një familje të lumtur. E shndërruar në muze, kjo shtëpi tregon më së miri historinë e kësaj familje. Gazeta Express sjell rrëfimin e Ferdonije Qerkezit për jetën që bën 20 vjet pas luftës, e festat të cilat nuk ngrohin më shpirtin e saj

Për shumicën Viti i Ri është festë, por jo edhe për të. Gjithkush bën dhurata, por ajo nuk ka kujt t’i dhurojë diçka. Fryma e gëzimit për gruan që nuk feston më u ndal para 20 vitesh.

Prej atëherë Ferdonije Qerkezi i kalon ditët njëjtë. Për të nuk ka gëzim. E, aq më pak ndërrim të moteve.

Nëna që dikur e kishte shtëpinë e mbushur me hare, sot jeton e vetme. Njëjtë e kalon edhe vitin e vjetër dhe e pret të riun. Në fakt, as që e vëren këtë ndërrim.

Para 20 vitesh asaj iu këput lumturia, iu shua komplet.

Ferdonijes ia morën gëzimin, ia morën jetën. Asaj ia vranë të gjithë…burrin dhe katër djemtë. Ia vranë motivin për të jetën, pavarësisht se fizikisht jeton ende.

“Për 20 vjet, festat janë vetëm ditë të rëndomta për mua. Mbaron muaji dhjetor, vjen janar. Dita për mua që 20 vjet fillon e mbaron njëjtë”

Kështu e përshkruan natën e ndërrimit të moteve mes lotësh gruaja të cilët serbët ia vranë komplet familjen.

Për të, asgjë më nuk ka kuptim, aq më pak viti që po vjen.

“E di që vjen Viti i Ri, Bajrami, po nuk jam si para 20 viteve. Kur kthehem 20 vjet pas më kujtohet se kam qenë me familje, me bashkëshortin, djemtë e dy nuset, ka qenë viti i parë me nuset”, ka rrëfyer Ferdonija, teksa shikonte me lot në sy rrobat e fëmijëve, gjërat e vetme që i kanë mbetur si kujtim prej tyre.

Ajo ka treguar për Gazetën Express se si ishin ditët e festave në familjen Qerkezi 20 vjet më parë.

Atëherë kur në shtëpinë tash të shndërruar muze, kishte jetë, kishte familje.

“Para 20 vitesh e kemi pritë krejt bashkë, shkonim nëpër restorante e festonim. Në vitin 1997 e kemi pritë bashkë, i kemi ftuar edhe nuset në shtëpi. Në vitin 1998 i kemi martua djemtë, e kemi bë një festë të vogël me familjarë. Atë vit, festën e Vitit të Ri e kemi pritë në shtëpi bashkë me djemtë e nuset. Nuk ka pasë shumë festë sepse dëgjoheshin krisma pushkësh, ka pas fillua lufta nëpër fshatra, por kemi qenë e gjithë familja bashkë, kjo ka pasur rëndësi. Djali i katërt ka qenë më i riu, 14 vjeç. Ai ka qenë më i shyhretshëm, e kemi lazdru se e kemi pasë ma të voglin. Ai na i ka zbukuru festat e çdo ditë tjetër. Viti i fundit që e kemi pritë të gjithë bashkë ka qenë 1999.”, ka rrëfyer zonja Ferdonije.

Ajo ka treguar se që nga viti ’99 më në shtëpinë e saj nuk ka pasur festë. Njëjtë si Viti i Ri, kanë kaluar edhe të gjitha festat tjera.

“Tash e 20 vjet nuk e kam festu asnjë festë. Kanë tentu familjarët, më kanë thirrë për festa, por nuk kam shku. Festat ekzistojnë, por jo për mua. Qe 20 vjet rri vetëm në shtëpi”, tregon ajo.

Duke folur për festat të cilat nuk kanë asnjë kuptim për të, zonja Ferdonije ka treguar se si ditët për të janë të zakonshme. Ajo zgjohet me mendjen tek familjarët e vrarë e të zhdukur gjatë luftës.

“Çdo minutë, sa herë i hapi e i mbylli sytë unë mendoj për ta. Unë jam me ata, e ata me mua, fizikisht jo, por në mendjen time po. Më duket se më vjen zëri i tyre duke më thirrë “Abë”, se fëmijët më kanë thënë ashtu”, ka rrëfyer ajo.

Shtëpia e zonjës Ferdonije është shndërruar në muze. Aty shkojnë njerëz të cilët duan të dinë për tragjedinë e familjes Qerkezi.

Ferdonije Qerkezi

Fotografitë e varura në muret e shtëpisë flasin për krejt jetën e zonjës Ferdonije.

Aty ajo ka “gozhduar” çdo kujtim që prej kohës së martesës me bashkëshortin Halimin, lindjes së fëmijëve, martesës së tyre e deri te fotografitë e trishta të varrimit të djalit të madh Artanit dhe atij të voglit Edmondit, eshtrat e të cilëve janë gjetur dhe kthyer në Kosovë.

Dhomat dy djemve të mëdhenj të cilët i kishte të martuar, qëndrojnë ende njëjtë si në kohën kur kishin jetuar aty.

Rrobat e martesës së djemve e fustanat e nuseve të tyre qëndrojnë varur në dhomat në katin e dytë të shtëpisë.

Aty ku qëndrojnë edhe lodrat me të cilat ata kishin luajtur në kohën e fëmijërisë.

E në njërën prej dhomave është edhe djepi në të cilin i kishte rritur katër djemtë nëna Ferdonije.

Duke e lëkundur djepin si në kohën kur përkundte djemtë, ajo ka treguar se kishin shkuar nga Gjakova në Prishtinë për ta blerë.

“Djepin e kemi pas ble në Prishtinë me bashkëshortin. Kemi pasë gëzim të madh, e kemi zgjedhë më të mirin”, tregon ajo derisa humb në kujtimet e asaj kohe.

Krejtësisht e vetme në shtëpi, zonja Ferdonije ka treguar se edhe vizitat te mjekët i bën vetë. Njëjtë bën edhe me blerjen e ushqimit e gjërave tjera që i duhen.

“Me shëndet nuk jam edhe fort keq, nuk kam qenë aq keq sa mos me mujt me shku vetë. Mjekët mi kanë dhënë numrat e telefonit, më kanë thënë mundesh me na telefonu kur të kesh nevojë. Ushqimet i blej vetë, shkoj me taksi”, tregon ajo.

Ndihma që merr nga Shteti nuk është e mjaftueshme, por që tregon se i ndihmojnë herë pas here edhe qytetarët të cilët shkojnë për ta vizituar.

250 euro mi jep Shteti, Komuna e Gjakovës ma paguan rrymën, ujin, mbeturinat. Ndonjëherë nuk më mjaftojnë, por edhe njerëzit që vijnë me m’vizitua më ndihmojnë”, ka treguar ajo.

Derisa dy prej djemve i ka varrosur në Gjakovë, për fatin e dy të tjerëve dhe bashkëshortit nuk di ende asgjë.

Ajo ka treguar se para tre muajve e ka vizituar një grua e cila i ka premtuar se do ta ndihmojë duke i dhënë informata se kush i ka vrarë djemtë e burrin e saj, por ani pse kanë kaluar tre muaj, ajo nuk i është lajmëruar ende.

“Ka pas ardhur një grua në muajin gusht, ajo ishte juriste me profesion. Më ka thënë që ka me m’tregu kush i ka marrë, vra, kush ka dhënë urdhër e krejt. Më ka thënë që brenda dy muajve unë kam me të lajmërua gjithçka. Jam çdo herë me veshët hapur kur po vjen ai lajm, se më ka thënë që janë edhe disa CD’ja të incizuara krejt”, ka thënë zonja Ferdonije për Gazetën Express.

Derisa shpalos kujtimet e një jete krejt tjetër me atë që bën tash e 20 vjet, Zonja Ferdonije na tha se e vetmja shpresë që i ka mbetur është që të kthehen në Kosovë edhe eshtrat e dy djemve tjerë të zhdukur e të bashkëshortit.

“Dua t’i varros sa të jem gjallë. Dua të di ku i kanë eshtrat e kë kem ku t’i vajtoj”, thotë mes lotësh zonja Ferdonije.

Pasditen e 27 marsit te vitit 99, policë serbë të maskuar por të njohur për familjen Qerkezi, i kishin rrëmbyer 11 burra nga kjo shtëpi.

Bashkëshortin e zonjës Ferdonije, Halimin me katër djemtë, Artanin, Armendin, Ardianin, dhe Edmondin, nipi Vegim Qerkezi, miku i shtëpisë Shpejtim Ymeraga si dhe fqinjët Skender Dylhasi me djalin Myrteza dhe dy djemtë e familjes Jetishi, Shpendi e Fatosi,

Deri në vitin 2005 ajo ka qenë në kërkim të eshtrave të gjithë familjarëve.

Por në këtë vit eshtrat e dy djemve te Artanit dhe Edmondit tashmë janë gjetur e varrosur, por nëna Ferdonije është në pritje edhe të eshtrave të burrit dhe dy djemve të tjerë./GazetaExpress