Janë katër qendra në komunën e Podujevës në të cilat po mbahet Testi i Arritshmërisë për 2003 nxënës të klasëve të nënta, raporton Llapi.info.
Qendra e parë është Sh.M.T. “Fan S. Noli” me 649 nxënës, e dyta Sh.M.E. “Isa Boletini” me 420 nxënës, qendra e tretë është Sh.F. “Shaban Shala” me 460 nxënës dhe e katërta Sh.F. “Ibrahim Rugova” me 474 nxënës.
Shefi i Drejtorisë së Arsimit në Podujevë, Xhevat Llugaliu, ka thënë për Llapi.info se testi ka filluar me kohë.
“Testi ka filluar me kohë. Janë bërë të gjitha pregaditjet teknike, nxënësit janë furnizuar me nga një shishe ujë dhe laps. Testi do të zgjasë tri orë”, ka thënë Llugaliu.
Llapi.info ka vizituar tri qendrat e para për të parë mbarvajtjen e testit. Skender Gashi, drejtor i qendrës në Sh.F. “Shaban Shala” ka thënë për Llapi.info se deri tani nuk ka pasur asnjë problem me përjashtim të dy-tre profesorëve të cilët kanë munguar.
“Pregaditjet teknike kanë qenë në nivel. Testi ka filluar në orën 10:00. Kemi pasur dy-tri mungesa të profesorëve të cilët nuk janë lajmëruar, por ata janë zëvendësuar me disa profesorë tjerë që kanë qenë rezervë. Deri në këtë kohë nuk ka pasur asnjë problem”, ka thënë Gashi për Llapi.info.
Ndërsa, në Sh.M.T. “Fan S. Noli” testi ka filluar me pesë minuta vonesë. Kjo për shkak të numrit të madh të nxënësve.
Rezultatet e Testit të Arritshmërisë sipas Xhevat Llugaliut priten të publikohen me 28 maj.
Llapi.info u sjell disa pamje nga tri qendrat e para ku është duke u mbajtur Testi i Arritshmërisë në Podujevë./Llapi.info