Një 23-vjeçare u aksidentua të martën në Qyshk të Pejës, e cila u soll në gjendje të rëndë në Qendrën Klinike Universitare.
Lidhur me rastin, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi ka bërë të ditur për Insajderin se gjendja e viktimës është e rëndë dhe që pritet t’i nënshtrohet intervenimeve kirurgjike.
“Viktima nuk ka ndërruar jetë, mirëpo e njëjta është në gjendje të rëndë pas lëndimeve të marra, të cilat kanë rezultuar shumë të rënda. Ajo pritet t’i nënshtrohet intervenimeve kirurgjike në QKUK”, ka thënë Nikçi.
Prokuroria e Shtetit bashkë me Inspektoratin Policor të Kosovës kanë kërkuar t’i caktohet masa e ndalimit zyrtarit policor të dyshuar për veprën penale “Rrezikim i trafikut publik”, që dyshohet se shkaktoi aksidentin në vija të bardha.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës më herët tha për Insajderin se lidhur me rastin janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.
“Prokurori i Shtetit bashkë me Inspektoratin Policor ka dalë në vend të ngjarjes. Lidhur me rastin janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore. Personi i dyshuar me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për orë për veprën penale “Rrezikim i trafikut publik””, ka deklaruar Nikçi për Insajderin.
Zyrtari policor i arrestuar është Argjend Kastrati.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, ka njoftuar fillimisht se viktima 23-vjeçare që u aksidentua është dërguar në emergjencën e Spitalit të Pejës, e më pas në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për shkak të gjendjes së rëndë.