Këshilltarët e Kuvendit Komunal të Podujevës nuk i kanë kthyer akoma laptopët e Komunës.
Zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Gjergj Dedaj, nuk ia ka kthyer ende një laptop Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) ani pse kanë kaluar gati 9 muaj prej që ai nuk është pjesë e kësaj Ministrie. Për këtë është shqiptuar kallëzim penal ndaj tij.
Një veprim, krejt si të Dedaj e kanë bërë edhe këshilltarët e Kuvendit Komunal të Podujevës për legjislaturën 2014-2017 . Këtë e ka dëshmuar Auditori Gjeneral në Raportin e Auditmit që e ka bërë për Komunën e Podujevës, shkruan lajmi.net.
“Këshilltarët e Kuvendit Komunal për legjislaturën 2014-2017 kishin pranuar laptop me qëllim të ushtrimit të funksionit të tyre. Sipas vendimit të Kuvendit, datë 15/01/2014, të njëjtët pas kalimit të mandatit të tyre duhet t’i dorëzohen komunës. Përkundër kësaj, gjithsej 24 këshilltarë komunal nuk i kishin kthyer laptopët, edhe pse e kishin përfunduar mandatin dhe nuk ushtronin më këtë detyrë as në legjislaturën aktuale. Vlera e mbetur e këtyre laptopëve, pas zhvlerësimit të rregullt ishte 4,444 euro. Për më tepër, moduli E-pasuria nuk përdoret fare nga sektori i shëndetësisë”, thuhet në Raportin e Zyrës Kombëtare të Auditmit.
Auditori ka shfaqur rrezikun se mungesa e informatave të sakta rreth pasurisë dhe mos përdorimit gjithëpërfshirës i sistemi e-pasuria, pamundëson një menaxhim dhe kontroll efektiv mbi pasuritë. “Menaxhimi jo adekuat i përdorimit të pasurisë, mundëson keqpërdorimin apo humbjen e pasurisë”.
Auditori i ka rekomanduar kryetarit të Komunës së Podujevës, Agim Veliu që duhet të sigurojë se të gjitha drejtoritë bashkëpunojnë efektivisht me zyrtarin e pasurive në mënyrë që të ketë një regjistër të plotë të pasurive si dhe në përdorimin e sistemit e-pasuria. Në anën tjetër, të merren veprime ligjore për kthimin e laptopëve në komunë dhe rastet e tilla të mos përsëriten në të ardhmen.