Dhuna në familje vazhdon të mbetet ndër fenomenet më shqetësuese në Kosovë. Vit pas viti kjo dukuri po shfaqet më shumë, derisa viktima të dhunës nuk janë vetëm femrat, njofton Llapi.info.

Jo të pakta kanë qenë incidentet kur janë sulmuar gratë, prindërit e po ashtu edhe fëmijët. As meshkujt kosovarë nuk po shpëtojnë lehtë kundrejt kësaj dukurie.

Në vitin 2019 është rritur tejet dhuna në familje. Rreshterja e Policisë në Podujevë, Antigona Çitaku ka thënë për Llapi.info se përgjatë vitit që tashmë e lamë pas kanë ndodhur 75 raste të dhunës në familje.

“Numri i rasteve të raportuara të dhunës në familje është 75. Viktima : 52 femra, 19 meshkuj dhe 7 fëmijë”, ka thënë Çitaku.

Duke treguar për statistikat që shënuan për këtë dukuri në qytetin e Podujevës, Çitaku ka treguar edhe për shkaqet kryesore për dhunën në familje.

“Shkaqet kryesore të rasteve të dhunës në familje ishin: Kushtet ekonomike, xhelozia, sëmundjet psikike, përdorimi i narkotikëve. Të arrestuar ishin 28 persona të dyshuar”, ka thënë tutje ajo.

Për dallim nga viti 2018, në vitin 2019 numri është i rasteve është rritur thuajse dyfish. Në vitin 2017 (45) raste, në vitin 2018 (43) dhe në vitin 2019 (76) të tilla. Për këto raste të fundit janë arrestuar 28 persona.

Një i tillë ka hiç më pak se para rreth një jave në këtë qytet, kur një nënë është sulmuar fizikisht.

Rritja e rasteve të dhunës brenda familjes vlerësohet si shumë shqetësuese nga njohës të çështjeve të sigurisë dhe nga sociologë, të cilët përmendin edhe faktorët që po ndikojnë në shkatërrimin e familjes, e që një prej tyre janë kushtet ekonomike.

Ndërkaq, për parandalimin e kësaj dukurie janë mbajtur fushata, tubime e kampanja nëpër Komuna të ndryshme. Drejtësi për viktimat e dhunës në familje ka kërkuar edhe zyra e BE-së në Kosovë./Llapi.info