Foto: Llapi.info

Numri i madh i të punësuarve me kontrata mbi vepër nëpër komunat e ndryshme të Kosovës, po vazhdon të mbetet problem, e sidomos për Podujevën. Kjo e fundit për këtë çështje është akuzuar edhe viteve paraprake, shkruan Llapi.info

Këto të gjetura i ka publikuar Zyra Kombëtare e Auditimit. Nga gjetjet e Auditorit për vitin që kemi lënë pas del se Komuna e Podujevës ka të punësuar numër të madh të personave me kontrata që iu referohen si për shërbime të veçanta.

ZKA në Komunën e Podujevës gjatë 2018-ës ka gjetur mangësi tek kontratat për shërbime të veçanta.

Sipas raportit, komuna për realizimin e shërbimeve të domosdoshme, kishte angazhuar 29 persona përmes Marrëveshjeve për Shërbime të Veçanta (MShV).

“Ne kemi testuar tetë (8) raste dhe kemi gjetur se: Në tetë (8) raste angazhimi ishte bërë përmes procedurave të thjeshtëzuara të rekrutimit, edhe pse në të gjitha rastet personat e njëjtë ishin angazhuar dhe punonin për kohë më të gjatë se gjashtë (6) apo katër muaj (4), sa është e lejuar me ligj. Personat punonin në pozita të rregullta të punës prej vitesh”, thuhet në raport.

Auditori shton se këta zyrtarë punonin, si infermierë, zyrtar për të dhëna, roje, punëtorë teknik, etj.

Sipas komunës, kjo ishte pasojë e mungesës së pozitave të aprovuara në planifikimin e buxhetit.

“Në dy raste personat fillimisht ishin angazhuar për 4 muaj dhe më pas kontratat iu kishin vazhduar edhe për katër muaj me kërkesë të drejtorëve përkatës ku ishin angazhuar më parë”, vijon e gjetura.

E sipas ZKA-së, mbulimi i pozitave me marrëveshje të përkohshme rezulton me performancë dhe monitorim të dobët të stafit dhe rritë pasigurinë nëse në pozitat e tilla është angazhuar stafi meritor.

“Kryetari, duhet të sigurojë se punonjësit me kontrata për shërbime të veçanta të angazhohen vetëm në rastet kur ka kërkesa specifike dhe angazhimet për këto shërbime nuk duhet të zgjasin më shumë se gashtë muaj. Për të gjitha pozitat e rregullta të punës duhet të sigurohet se buxhetohen nga kategoria e pagave dhe mëditjeve si dhe paguhen nga sistemi i pagave”, ka rekomanduar Veliun Auditori i Përgjithshëm./Llapi.info