Sot janë bërë 30 vjet nga rënia heroike e dëshmorëve Fahri Fazliu dhe Afrim Zhitia, shkruan Llapi.info.
30 vite më parë në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë, në luftime të pabarabarta me forcat e armikut, ranë heroikisht Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu.
Afrimi e Fahriu ranë në altarin e lirisë pas një rezistence disa orëshe ndaj një rrethimi të hekurt të policisë dhe ushtrisë serbo-jugosllave.
Dy dëshmorët e rënë më dy nëntor të vitit 1989, Fahriu dhe Afrimi nga Komuna e Podujevës sot e asaj dite kujtohen si dy të rënë për të mbrojtur atdheun dhe çlirimin e tokave shqiptare nga okupuesit serbë.
Në nderim të kësaj dite do të mbahen aktivitete të shumta. Në orën 10:00 do të bëhen homazhe te varri i heroit Afrim Zhitia në Llugë të Podujevës. Në orën 12:00 homazhe te varri i heroit Fahri Fazliu në Llaushë. Kurse, në orën 14:00 do të bëhen homazhe te vendi i rënies heroike të dy dëshmorëve, në Breg të Diellit – Prishtinë.
Ndërsa, në orën 17:00 do të mbahet akademi në Sallën e Kuqe – Pallati i Rinisë në Prishtinë./Llapi.info