Me datën 5 maj 2018 rreth orës 13:40 në rrugën Istog -Pejë, gjegjësisht në fshatin Jabllanicë e Vogël, në vendin e quajtur “Dydesh”, ka ndodhur një aksident trafiku ku të lënduar janë tridhjetë e një persona.
Kështu thotë Policia e Kosovës nga Rajoni i Pejës, duke theksuar se në këtë aksident ishte i përfshirë një minibus i tipit “Iveco” me targa të regjistrimit vendor.
“Të lënduarit e këtij aksidenti janë shtetas të Kosovës, të gjithë janë duke u trajtuar në spitalin rajonal në Pejë, ku sipas ekipit mjekësor të gjithë të lënduarit janë jashtë rrezikut për jetë”, ka thënë PK, raporton Koha.net.
Lidhur me aksidentin është njoftuar prokurori i shtetit, i cili i ka vizituar të lënduarit e aksidentit.
Sipas të dhënave preliminare, dyshohet se aksidenti ka ndodhur derisa ngasësi i minibusit i cili ishte duke qarkulluar nga Istogu në drejtim të Pejës, me të arritur në fshatin Jabllanicë e Vogël në vendin e quajtur “Dydesh”, “duke mos iu përshtatur kushteve të rrugës si dhe shpejtësisë, për një moment humb kontrollin mbi automjet dhe godet një pemë në anën e kundërt të rrugës”.
Rasti procedohet nga Njësia e hetimeve të aksidenteve NJRKRR- DRP Pejë.