Vjedhjet vazhdojnë të jenë dukuri mjaft shqetësuese edhe për qytetarët e Komunës së Podujevës.
Që nga janari i vitit 2018 e deri në fund të dhjetorit në stacionin e Policisë së Podujevës, janë regjistruar 367 vjedhje, raporton Llapi.info
Kështu ka thënë për Llapi.info, komandanti i Stacionit Policor në Podujevë, Bekim Bislimi. Sipas tij, prej 367 vjedhjeve, 212 ishin të rënda, derisa nuk kanë munguar edhe aksionet e Policisë në parandalimin e tyre.
“Lidhur me numrin e vjedhjeve në rajonin e Podujevës ju informoj se nga data 01.01.2018 deri më 30.12.2018 janë raportuar gjithsejtë 367 vjedhje, prej tyre 212 të rënda”, ka thënë Bislimi. Më tej, kapiteni Bislimi ka shtuar se lidhur me këto raste janë arrestuar 69 persona, ndërsa 9 personave u është shqiptuar masa e ndalimit.
“Persona të arrestuar lidhur me rastet e vjedhjeve dhe vjedhjeve të rënda, janë gjithsejtë 69 persona, kurse 9 personave të dyshuar ju është dhënë masa e ndalimit “, ka thënë ai.
Siç mëson Llapi.info, fshati Siboc ka qenë njëri ndër vendet që më së shumti janë raportuar për vjedhje. Në po këtë fshat janë thyer shtëpi, lokale e po ashtu vetura dukuri kjo e pritur me shqetësim nga banorët e asaj ane.
Ndërkohë, nëpër qytete të ndryshme në Kosovë, gjatë vitit 2018 ka pasur grabitje nën kërcënimin e armës. Rasti më i rëndë ndodhi në Istog, ku një person tentoi të plaçkit një bankë, i njëjti qëlloi për vdekje një polic e më pastaj u vra nga kolegët e këtij të fundit.
Si rezultat i këtyre grabitjeve edhe është mobilizuar Policia e Kosovës e cila ditë më parë ka mbajtur një takim zyrtar të thirrur nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj. Temë kryesore e atij takimi ku ishin të ftuar edhe stafi menaxherial dhe Komandantët e Stacioneve të Drejtorisë Rajonale të Prishtinës nga drejtori Qalaj ishte ndërmarrja shtesë e masave të menjëhershme, me qëllim të parandalimit të veprave të ndryshme kriminale, me theks të veçantë të grabitjeve, si dhe arrestimit të kryerësve të veprave penale.
Drejtori Qalaj ngriti çështjet kyçe që kanë të bëjnë me sigurinë e qytetarit, bashkëpunimin dhe takimet me komunitetin, sigurinë në trafik, parandalimin e veprave kriminale si grabitjet, vjedhjet, drogat etj, duke kërkuar që të punohet dhe angazhohen edhe më shumë që të krijohet një klimë edhe më e qetë dhe më e sigurt për qytetarët, e që kontribuon edhe në sigurinë e përgjithshme të vendit./Llapi.info