Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar Qeverinë Kurti për situatën me ushqimin e ushtarëve të FSK-së.

Ai në një prononcim thotë se kjo situatë është lajm i mirë për armiqtë tanë që na duan të nënshtruar.

“Me ndodh kjo situatë nuk është porosi e mirë, nuk është se ushtarët e Kosovës do të dorëzohen se s’kanë bukë sepse janë betuar për të shërbyer mirëpo nuk është porosi e mirë, është lajm i mirë për armiqtë e Kosovës, për ata që duan të na nënçmojnë, përçmojnë e nënshtrojnë”, është shprehur ai.

I pari i AAK-së përgjegjës për gjithë situatën e sheh kryeministrin Kurti, teksa tregon se nëse do të ishte vet në qeveri në një situatë të tillë, do të shkarkonte 4-5 njerëz përgjegjës.

“Përgjegjësia është e kryetarit të Qeverisë, situata në siguri, në ushtri, nuk është çështje e vogël, po të kishte ndodhur kjo në kohën time, po të kisha qenë, do të kisha mbajtur takim me ministrin dhe të tjerët, nëse situata nuk ishte zgjidhur brenda 24 orësh, do ta kisha thirrur takim Këshillin Kombëtar të Sigurisë, nuk është çështje e vogël dhe me siguri se para këtij takimi do t’i kisha shkarkuar 4-5 përgjegjës, 4-5 njerëz do të duhej të shkonin në shtëpi për këtë turp, për këtë fyerje që i bëhet Kosovës”, ka vlerësuar Haradinaj për Gazeta Blic.

Po ashtu, ai ka thënë se në vend se të diskutohet hyrja e Kosovës në NATO, po diskutohet ushqimi i ushtarëve, teksa u ka bërë thirrje atyre që e përkrahin Kurtin të mos e bëjnë, pasi sipas Haradinajt, Kurti është argat i Serbisë.

“Unë kam deklaruar se Kurti është spiun i Serbisë, është argat i tyre, besoni ky është një lajm i mirë për Serbinë e për armiqtë tanë që po diskutohet në Parlament se a kemi bukë për ushtarë dhe jo a po hymë në NATO. Pra, shikoni se si e ka sjellë punën Kurti. I bëj thirrje atyre që e përkrahin, kuptojeni, ky njeri nuk është i yni, mos i shkoni mbrapa një njeriu të tillë që e lë ushtarin pa bukë”, ka potencuar ai.

Ndërsa, sa i përket rolit të presidentes Vjosa Osmani e cila është komandante supreme, Haradinaj thotë se ajo mund ta bëjë ndonjë qortim por që s’ka kompetenca.

“Kompetencat janë të ekzekutivit, presidentja mund ta shpreh shqyrtimin, komandante supreme është por nuk i ka kompetencat, i ka kryeministri, ajo mund ta shpreh ndonjë shqyrtim publik ose me shkrim”, ka deklaruar kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.