Në komisionin qeveritar për verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës nga 5 shkurti kanë pranuar 400 aplikacione.
Në nëntor të vitit të kaluar, Qeveria kishte marrë vendim që pagesa mujore për kategorinë e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës të jetë rreth 230 euro, transmton Klan Kosova.
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Skender Reçica, tha se aplikuesve iu është pranuar zyrtarisht statusi i viktimave të dhunës.
Ai më tej ka sqaruar se një pjesë e tyre janë proceduar për pagesë, duke shtuar se i gjithë ky proces është planifikuar të zgjasë 5 vjet.
“Që nga 5 shkurti i këtij viti kur zyrtarisht është bërë lansimi i datës së momentit për fillimin e pranimit të aplikacioneve të viktimave gjatë luftës së fundit e deri në këto momente kur po flasim janë rreth 400 aplikacione që komisioni i ka pranuar është duke i shqyrtuar”.
“Një pjesë e këtyre aplikacioneve tashmë aplikuesve iu është pranuar zyrtarisht statusi i viktimave të dhunës dhe një pjesë e tyre tashmë është proceduar për pagesë dhe unë besoj që shumë shpejtë do t’i gëzojnë pagesat e para”, ka thënë Reçica.
Komisioni Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusin e personave të dhunuar gjatë luftës çlirimtare në periudhë prej 30 ditësh e shqyrton kërkesën e aplikuesit. Ai tha se ka raste që i’u është refuzuar kërkesa.
“…komisioni është duke kryer detyrën me shumë kujdes me shumë përgjegjësi, rastet po trajtohen, ka raste që i’u është njohur e drejta, por ka raste që u janë refuzuar”, ka shtuar ai.
Ndërsa pensionet për veteranët mbeten ende sfidë për vendin, sipas të parit të MPMS-së është proces në vazhdimësi dhe nuk dihet kur do të përfundojë.
“Në realitet ky proces është në vazhdimësi duke u zhvilluar, ne jemi të vetëdijshëm që kur morëm detyrën për të drejtuar MPMS-në hasëm me disa vendime që në një mënyrë apo tjetrën kategorive të dala nga lufta i’u është mohuar e drejta e tyre e garantuar me ligj dhe tashmë ato vendime i kemi prezantuar më shumë se një herë, i shfuqizuam me kohë dhe jemi duke i trajtuar në bazë të ligjit për kategoritë e dala nga lufta”.
Ai ka shtuar se nuk dihet saktë sa do të shkojë numri final i veteranëve, por që MPMS-së sipas tij ka obligim ligjor të sigurojë mjete buxhetore për të gjithë veteranët në listë.
“…nuk e dimë saktë sa do të jetë numri final i veteranëve sepse nuk varet nga ne, tashmë ne bëjmë një shërbim pas njohjes e statusit të veteranëve, jemi të obliguar në bazë të ligjit të sigurojmë mjete, të sigurojmë buxhet që gjithë ata veteranë që janë në listë t’i gëzojnë të drejtat e tyre”, shkruan Ekonomia Online.