Në takimin e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), të kryesuar nga kryetari i Komunës së Podujevës, z. Agim Veliu është diskutuar edhe për aktivitetin e Shërbimit të Zjarrfikësve në Podujevë.
Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Mbrojtjes dhe Shpëtimit (DSHPMSH), Faik Muçiqi, prezantoi një informatë lidhur me aktivitetin e Shërbimit të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit gjatë sezonit veror të këtij viti.
Ai tha se gjatë kësaj periudhe ky shërbim ka pasur gjithsej 410 intervenime në shuarjen e zjarreve. Në bazë të raportit, kryesisht janë djegur sipërfaqe me hamullore dhe rreth 30 hektarë pyje.
U vlerësua angazhimi i Shërbimit të Zjarrfikësve në intervenimet për shuarjen e zjarreve, kurse në efikasitetin e këtij shërbimi ka ndikuar edhe pajisja me dy automjete të reja për fikjen e zjarrit nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe një automjet, donacion nga Ëesterstede e Gjermanisë.
Pavarësisht pajisjes së këtij shërbimi me tri automjete, kryetari Veliu tha se brengos numri i vogël i zjarrfikësve, duke iniciuar gjetjen e formave për angazhimin e zjarrfikësve vullnetarë gjatë sezonit të verës./Llapi.info