Gjimnazi “Aleksandër Xhuvani”, në Podujevë, sot shënon 62 vjetorin e themelimit, njofton Llapi.info.
I themeluar gjatë vitit shkollor 1961/1962, Gjimnazi “Aleksandër Xhuvani”, bëhet një ndër institucionet më të rëndësishme të arsimit në Kosovë.
Gjatë viteve 1961-1962, ky gjimnaz veproi si paralele e ndarë e atij “Sami Frashëri” të Prishtinës (dikur Ivo Lola Ribar)
Pas një viti me gjithë kundërshtimin dhe zhurmën e serbëve dhe malazezëve dhe indiferentizmin e disa poltronëve shqiptarë,që veten e konsideronin si jugosllavë, ky gjimnaz do të veprojë i pavarur nga ai i Prishtinës.
Kjo arritje e jashtëzakonshme ishte meritë e disa intelektualëve llapjanë, veçanërisht e zotit, Ramush Rrahim Rama, atëbotë udhëheqës i Arsimit dhe Shëndetësisë në rrethin e Llapit.
Në këtë institucion të Arsimit të Mesëm regjistrohen nxënësit e qytezës së Podujevës, dhe të fshatrave periferike, si dhe ata të viseve malore si; Shalë e Bajgores, Grykë e Mavriçit dhe Orllan.
Kriter për t’u regjistruar në këtë gjimnaz ishte përfundimi i tetëvjeçares,në ndonjërën nga shkollat fillore të Kosovës, si dhe dhënia e provimit pranues.
Sikurse në gjimnazet e tjera të Kosovës, ashtu edhe në atë të Podujevës, programet mësimore zgjatnin 4 vjet.
Në vitin akademik 1980 në emër të njëfarë reforme në Arsim, të gjitha gjimnazet në ish-Jugosllavi, shndërrohen në Qendra të Arsimit të Mesëm të Orientuar.
Ky riorganizim që njihej edhe si sistemi i Stipe Shuvarit, në kushte dhe rrethana çfarë ishte ekonomia e Kosovës, rezulton i pasuksesshëm.
Më 7 shtator të vitit 1990 në Kaçanik, ish- deputetët e Kuvendit të Kosovës, miratojnë kushtetutën, si aktin më të lartë juridik të vendit. Faktikisht nga ky moment edhe fillon vënia e themeleve të shtetësisë së Kosovës.
Serbia duke parë vendosmërinë e shqiptarëve të Kosovës, për shkëputje nga ajo, aplikon gjendje të jashtëzakonshme.
Qyshkur ndodhi suprimimi i Autonomisë së Kosovës,shqiptarët mbeten pa kurrfarë mekanizmi mbrojtës.Ata në çdo kohë bastiseshin, arrestoheshin dhe vriteshin, pa dallim moshe dhe gjinie.
Me gjithë situatën tejet komplekse organet e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Republikës së Kosovë, edhe pse të gjendura jashtë objekteve të tyre të ligjshme, në shtator të vitit 1992, marrin vendim që në mbarë vendin të bëhet rihapja e gjimnazeve të mëhershme.
Gjimnazistët e Podujevës të ndjekur më 13 dhjetor 1990, me kërbaç e tanke nga objektet e tyre shkollore, do të detyrohen që nga 3 shkurti i vitit 1992, mësimin ta vazhdojnë në shtëpitë shkolla.
Qytetarë e mësimdhënës të Llapit,do të mobilizohen dhe do të vihen seriozisht në mbrojtje të këtij mësimi, duke mos kursyer edhe jetët e tyre.
Kuptohet që kushtet e punës ishin të vështira dhe të papërshtatshme. Në dhomat e planifikuara për nevoja të familjes të shumtën e herëve ishin mbi 30 nxënës.
Armikun e pengonte edhe kjo formë organizimi. Ai qëllim kishte gjunjëzimin e shqiptarëve dhe lënien e fëmijëve të tyre jashtë çdo rrjedhe.
Personeli udhëheqës i këtij gjimnazi shpeshherë thirrej në të ashtuquajturat biseda informative, më ç’rast keqtrajtohej psikikisht dhe fizikisht, nga policia serbe.
Me gjithë stuhitë dhe agresivitetin e pandërprerë të shovinistëve serbë gjimnazi “Aleksandër Xhuvani” i Podujevë mbijeton.
Në mbrojtje të këtij djepi të dijes që i dha qindra kudro Kosovës, duke filluar nga profesorë universitar e deri në President të vendit,më 5 maj të vitit 1999, nga policia serbe vritet Ejup Halim Shala, nga Konushevci i Podujevës.
Ejupi, përveç funksionit të drejtorit të përgjithshëm të këtij gjimnazi, vite me radhë me dashuri e profesionalizëm kreu edhe detyrën e profesorit të Gjuhës shqipe.