“Më kanë uzurpuar pronën time edhe e kanë asfaltuar, Komuna nuk më ka kompensuar me asgjë”, kështu e nis rrëfimin 68-vjeçari nga Podujeva, Isa Zeka, njofton Llapi.info
Shtëpia e Zekës gjendet buzë rrugës “Vëllezërit Frashëri” në Podujevë. Një pjesë e pronës private, e që tani është bërë hapësirë publike, thotë se është e tij. Sipas tij, edhe pse prona e Zekës është bërë publike, atij nuk i është kompensuar asnjë cent, përkundrazi siç shprehet ai, është bërë uzurpator nga Komuna e Podujevës. Mirëpo, kjo e fundit, Zeka thotë se ia ka marrë rreth tri metra tokë.
Ndërsa, nga Komuna e Podujevës thonë se rruga është asfaltuar edhe me peticionet e nënshkruara nga banorët e asaj ane. Për Llapi.info, 68-vjeçari është shprehur se muaj më parë janë bërë matje, dhe sipas tij, përfundimi ka dalë se Komuna është uzurpatore.
“Në vitin 2006-07, është rregulluar kjo rrugë. Në atë kohë zëvendës-kryetar ka qenë Hazir Raçi, ai i ka sjellë gjeodetë edhe inspektorët këtu. Më tha se duhet t’i thyejnë shkallët e shtëpisë edhe pse i tregova lejen e shtëpisë. Gjeodetët i maten tokat edhe dolën në rregull. Pas kësaj, një kohë kjo rrugë mbeti papunuar”, thotë Zeka.
“Këtu i kam pasur edhe lokalet me leje që me to iu kam ndihmuar shkollave edhe UÇK-së. Tash është ardhur trotuari deri këtu afër, këtu është ndal se nuk ka vend. Të gjithë mendojnë se unë e kam zënë këtë rrugë, ndërsa e vërteta është se Komuna e ka uzurpuar rreth tri metra dhe m’i ka mbyllur lokalet”, vazhdon Zeka.
Duke akuzuar Komunën, Zeka thotë se për këtë çështje ka biseduar edhe me të parin e Podujevës, Agim Veliu, derisa thotë se do t’i ndjek edhe procedurat gjyqësore.
“Kam bërë kërkesë, kam qenë të kryetari Agim Veliu më 15 janar dhe i kam treguar si është puna, më tha se do t’i dërgojë drejtorët e shikojnë gjendjen, por s’i ka dërguar. Kam bërë edhe një kërkesë që të më kthehet një përgjigje dhe po pres. Nëse nuk kthejnë ndonjë përgjigje unë do t’i padisë”, ka theksuar Zeka, duke kujtuar kohën që me lokalet e mbyllura iu kishte ndihmuar shkollave.
Duke rrëfyer për gjendjen në të cilën u kishte ndihmuar shkollave nga lokalet që tashmë siç thotë, ia ka mbyllur Komuna, thotë se do të vazhdojë të kërkojë drejtësi.
Në anë tjetër Llapi.info ka kontaktuar edhe drejtorin e Drejtorisë së Kadastrit dhe Gjeodezisë në Podujevë, Abaz Llugaliu. Sipas këtij të fundit, nuk është bërë ndonjë kërkesë se është uzurpuar ndonjë pronë nga personi (Isa Zeka), ani pse vetë ai ka nënshkruar dokumentin kur është bërë matja e territorit për të cilën Zeka shton se i është marrë nga Komuna.
“Drejtoria për Kadastër dhe Gjeodezi s’është në dijeni se komuna i ka uzurpuar personit në fjalë pronën private, po ashtu nuk kemi asnjë kërkesë të shkruar nga personi në fjalë për me dal në terren dhe me bë matjet gjeodezike dhe me konstatua pretendimin e tillë”, ka thënë Abazi përmes një përgjigjeje elektronike.
“Nuk kemi pas asnjë kërkesë zyrtare për zhvillimin e procedurave të shpronësimit konform Ligjit për Shpronësimin”, ka thënë ai, duke shtuar se për asfaltimin e rrugës të merren informata nga Drejtoria e Urbanizmit.
Kurse, drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit në këtë Komunë, Hamdi Jaha, thotë se asfaltimi i asaj rrugë është bërë shumë kohë më parë, teksa siç thotë ai nuk ka qenë drejtor. Por, tani thotë se do të bëhen matjet dhe nëse do të ketë konstatim se personit i është marrë prona, do t’i kompensohet.
“Asfaltimi i asaj rrugë është bërë shumë kohë më parë dhe unë s’kam qenë drejtor i Drejtorisë së Urbanizimit në atë kohë. Por, do të matet e gjithë hapësira e cila pretendohet se është uzurpuar nga Komuna, së bashku edhe me gjeodetë dhe të rishikohen mundësitë e kompensimit”, ka thënë Jaha për Llapi.info.
Ndërkohë, në këtë pjesë ka filluar edhe zgjerimi i përroskës Obrança./Llapi.info