Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë (IKSHPK), ka regjistruar sot edhe 75 raste të reja me virusin korona, pas testimit të 1.312 mostrave në laboratorët shtetërorë dhe privatë, raporton Llapi.info.
Siç ka njoftuar ky Institut, brenda 24 orëve janë raportuar 4 raste të vdekjes me COVID-19, duke çuar në total numrin e tyre në 2.191.
“Rastet e vdekjes janë nga komunat: Drenas 1 rast (76 vjeç), Gjilan 1 rast (77 vjeç), Mitrovicë 1 rast (48 vjeç), Prishtinë 1 rast (79 vjeç)”, ka njoftuar IKSHPK.
IKSHPK ka bërë të ditur edhe për 2 raste pozitive në Podujevë. Një rast është konfirmuar në qytet dhe një në fshatin Letanc.
Kosova ka konfirmuar rastet e para pozitive më 13 mars të vitit të kaluar dhe, që atëherë, ka regjistruar gjithsej 105.711 të tilla. Prej tyre, 2.191 pacientë kanë vdekur. Aktualisht janë edhe 7.508 raste aktive me COVID-19./Llapi.info