Një ish-drejtuese e shërbimit ushqimor në një shkollë në Chicago të Shteteve të Bashkuara është dënuar me 9 vjet burg pasi vodhi krahë pule me vlerë 1.5 milionë dollarë.
Vera Liddell, e cila shërbeu në shkollën “Harvey” pranë Chicagos, është dënuar për vjedhje dhe shpërdorim detyre. Ajo u deklarua fajtore më 9 gusht për akuzat dhe përfundimisht do të duhet të qëndrojë 9 vite pas hekurave.
Sipas mediave, 68 vjeçarja vodhi sasi të mëdha mishi që duhet të konsumoheshin nga nxënësit, të cilët në atë kohë mësonin nga shtëpia për shkak të pandemisë së Covid-19.
Ajo dha porositë dhe bëri faturimin, por i mbajti krahët e pulave për vete për periudhën kohore mes korrikut 2020 dhe shkurtit 2022.
“Mashtrimi masiv filloi në kulmin e COVID gjatë një kohe kur studentët nuk lejoheshin të ishin fizikisht të pranishëm në shkollë. Edhe pse fëmijët mësonin nga distanca, distrikti shkollor vazhdoi t’u siguronte nxënësve ushqime që familjet e tyre mund të merrnin”, thotë prokuroria.
Operacioni i vjedhjes së krahëve të pulave u zbulua në vitin 2023 kur një auditim gjeti se departamenti i shërbimit të ushqimit të distriktit e tejkaloi buxhetin vjetor me 300 mijë dollarë në gjysmë të vitit shkollor.