Studenti, Argjend Softolli, ka paralajmruar që të enjtën duke filluar nga ora 12:00 do të mbahet një protestë para Komunës së Podujevës. Protesta do të jetë një aksion simbolik kundër keqpërdorimit të parasë publike nga zyrtarët komunal dhe korrupsionin që e ka përfshirë këtë komunë. Protesta do organizohet me moton “Mos bëni luks me taksat tona”.

Argjend Softolli nga Podujeva, student në Univeristetin e Prishtinës, mendon të hap një front të ri me Kryetarin e Komunës së Podujevës, Agim Veliun.

Protesta do jetë një aksion simbolik kundër shpenzimeve enorme dhe korrupsionit në Kuvendit Komunal të Podujevës.

”Duke parë shpenzimet enorme te Kuvendit Komunal dhe duke parë nepotizmin e korrupsionin në Kuvendin Komunal, ne studentët Llapjan dhe qytetarët e Podujevës pas shumë bisedimesh me qytetarë u vendos që të enjtën në ora 12:00 të mbahet një aksion simbolik me moton #Mos bëni luks me taksat tona!”, ka thënë Softolli.

Ai ka treguar për shpenzimet marramendëse që i ka bërë kjo komunë.

“Komuna e Podujevës për nëntë muaj të vitit të kaluar ka shpenzuar 104 mijë e 201 euro për rrymë, 195 mijë e 176 euro për “Shërbime kontraktuese tjera”, duke mos treguar konkretisht se çka. Për nëntë muajt e parë të vitit 2014 zyrtarët komunalë të Podujevës kanë harxhuar edhe 92 mijë e 559 euro për dru e 8 mijë e 255 euro për qymyr, 65 mijë e 556 euro për karburant për vetura, 14 mijë e 57 euro për mirëmbajtjen dhe riparimin e veturave, 77 mijë e 796 euro për “Furnizime për zyrë” e 21 mijë e 302 euro për furnizime pastrami”, ka treguar ai.

Sipas tij, shpenzime të mëdha Komuna e Podujevës ka bërë edhe për ujë e mbeturina. Janë 42 mijë e 458 euro që janë harxhuar për ujë e 39 mijë e 759 euro për mbeturina. Të vogla nuk janë as shpenzimet e bisedave telefonike. Për periudhën janar-shtator 2014 kjo komunë ka harxhuar 7 mijë e 419 euro për telefoninë mobile dhe 6 mijë e 987 euro për telefoninë fikse.

Ndërsa, për udhëtime zyrtare jashtë vendi zyrtarët komunalë të Podujevës kanë shpenzuar 3 mijë e 153 euro, për mëditjet e udhëtimit zyrtar jashtë vendi 1 mijë e 28 euro, 720 euro për akomodimin gjatë udhëtimeve zyrtare jashtë vendi dhe 153 euro për shpenzime tjera të udhëtimeve zyrtare jashtë vendi./llapi.info