Sëmundja Gungore e Lëkurës së kafshëve gjedhi e cila kohëve të fundit ka prekur qytetet e Kosovës po dyshohet se ka arritur edhe në Podujevë. Në fshatin Halabak të komunës së Podujevës dyshohet se një gjedh (dem) është prekur nga kjo sëmundje, njofton Llapi.info.

Sipas Inspektorit Veterinarë në Komunën e Podujevës, Mehdi Latifi gjedhi në fjalë është në gjendje të mirë pasi janë marrë masat veterinare.

“Në komunën e Podujevës kemi vetëm një rast të dyshimtë me Sëmundjen Gungore të Lëkurës në fshatin Halabak ku pas marrjes së masave veterinare gjedhi (demi) është në gjendje të mirë dhe u morën masat preventive për gjedhet tjera si: izolimi, ndalimi i lëvizjes dhe i shitjes së demit si dhe mbajtja nën kontroll të vazhdueshme veterinare dhe të inspektoratit veterinarë.” tha Latifi për Llapi.info.

Ndër të tjera, Latifi bëri të ditur se janë marrë masat sipas urdhëresës së Agjensisë së Ushqimit dhe Veterinës  (AVUK) dhe se ato masa janë zbatuar në përpikëri.

“Inspektori Veterinarë pas marrjes së urdhëresës nga AVUK me datë 26.06.2016 (Ref: AVU, 01- 413/16) ka zbatuar me përpikëri duke marrë këto masa: ndalim i tregtisë së gjedheve të mëdhaja (ndalimi i tregut), duke kujdestaruar për çdo të shtunë nga 06:30 deri në orën 11:00, kontrolli ambulancave   veterinare lidhur me masat e ndërmarra (vaksinimi) i gjedheve: ku u vaksinuan rreth 2500 krerë gjedhe në fshatrat në kufi me Republikën e Serbisë (nga fshatrat e Orllanit deri në Dvorishtë), vaksinimi për pronarë ka qenë gratis, i sponsorizuar nga AVUK”shtoi ndër të tjera Latifi.

Përpos kësaj, fermerët e kanë të ndaluar lëvizjen e kafshëve pa certifikata veterinare. Sipas Latifit, fermerëve u janë dhënë këshillat e nevojshme lidhur me Sëmundjen Gungore dhe masat e ndalimit të tregut vazhdojnë.

Ndryshe, Sëmundja Gungore e Lëkurës (LSD) është sëmundje e cila prek gjedhet dhe shkakton ethe, depresion, gunga dhe edem, nyje të rritura limfatike, gjithashtu gunga në mukozën e membranës, rrjedhje nga hunda dhe sytë, zvogëlim të prodhimit të qumështit, ënjtje të këmbëve dhe çalim./Llapi.info