Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka inspektuar sot punimet në ndërtimin e fushave sportive mbrapa Gjimnazit “Aleksandër Xhuvani” në Podujevë, transmeton Llapi.info.
Sipas kumtesës komunale, gjatë inspektimit të punimeve, Veliu, u shpreh i kënaqur për realizimin e këtij projekti me rendësi të veçantë për komunitetin përreth, e sidomos për të rinjtë e kësaj pjese të qytetit.
“Është kënaqësi kur shohim se po finalizohen punimet për ndërtimin e fushave sportive në këtë pjesë të qytetit. Këto terrene sportive do të jenë në dispozicion të qytetarëve të komunitetit përreth, me theks të veçantë të rinjve të cilët do të kenë një vend për zhvillimin e aktiviteteve sportive”, tha Veliu.
Ndër të tjera, Veliu tha se me projekte të tilla do vazhdohet edhe në lokalitete tjera, brenda qytetit, por edhe në fshatra, duke përmendur projektin e përbashkët të komunës së Podujevës dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) për rregullimin e fushave sportive në fshatin Kërpimeh.
Në fushat sportive, të cilat po ndërtohen mbrapa Gjimnazit “Aleksandër Xhuvani” në Podujevë do të ketë hapësira për zhvillimin e sporteve të futbollit, hendbollit, basketbollit dhe volejbollit.
Ndërtimi i këtyre fushave është projekt i komunës së Podujevës./Llapi.info