Edhe pse fillimi e vitit të ri shkollor është shtyrë nga 1 shtator deri më 5 shtator, në shkollën fillore Enver Maloku në Podujevë as sot nuk ka filluar mbajtja e mësimit për arsye se objekti aktual nuk ofron kushte elementare për zhvillimin e procesit edukativo –arsimor.

Objektin në fjalë sot e ka vizituar kryetari i Komunës së Podujevës Agim Veliu, i cili së bashku me drejtorin e Drejtorisë për Arsim, Avni Maloku, kanë takuar Këshillin e prindërve të kësaj shkolle, me të cilët, pasi vizituan objektin së bashku morën vendim që të mos fillohet procesi mësimor në këtë shkollë për shkak se objekti nuk plotëson kushtet as elementare për zhvillimin e procesit mësimorë dhe si i tillë paraqet rrezik për shëndetin dhe jetën e nxënësve.

Veliu u shpreh i zhgënjyer me dinamikën e zhvillimit të punimeve në objektin e ri të kësaj shkolle, në të cilin objekt kompania e kontraktuar nga MASHT punimet i ka filluar në muajin prill të vitit 2009 dhe ende nuk i ka përfunduar.

“Nuk ndihem aspak mirë kur në një shkollë nuk fillon mësimi, mirëpo jam këtu ta shpreh mbështetjen time të plotë për prindërit e kësaj shkolle me të cilët bashkërisht vendosëm që mësimi në këtë shkollë të mos fillojë derisa të përfundojë objekti i ri, i cili ka filluar së ndërtuari në vitin 2009”, tha Veliu, raporton Llapi.info.

Ai, po ashtu tha se neglizhenca e MASHTI-it e ka mbajtur peng edhe Komunën të investojë në renovimin e objektit ekzistues sepse në çdo fund të vitit shkollor kemi marrë premtime që ne fillimin e vitit të ri shkollor do startohet në objektin e ri.

Veliu tha se Komuna e Podujevës, i ka përdorur të gjitha mundësitë e saja për të komunikuar, e shpesh edhe për të bërë presion tek MASHT-i, mirëpo kërkesat tona nuk janë marrë parasysh dhe tani ndodhemi në një situatë të tillë.

Gjatë këtij takimi kryetari Veliu u ka premtuar prindërve që nëse MASHT nuk ndërmer hapa të shpejtë për përfundimin e punimeve në objektin e ri, komuna e Podujevës njëanshëm do të veprojë dhe do të krijojë kushte për fillimin e procesit mësimor për nxënësit e kësaj shkolle në objektin e ri.

Drejtoria komunale e Arsimit së bashku me Këshillin drejtues të shkollës dhe Këshillin e prindërve janë duke bërë përpjekje për gjetjen e një zgjidhjeje sa më të shpejtë për fillimin e vitit të ri shkollor./Llapi.info.