Ani pse fillimi i vitit të ri shkollor u shty nga 1 deri më 5 shtatorë, qindra nxënës së Komunës së Podujevës edhe pas një jave, akoma nuk janë ulur në bankat e tyre shkollore, shkruan Llapi.info.

Kjo për shkakun se vendi i nxënësve me sukses më të mirë është zënë nga nxënës me sukses më të dobët. Të paktën kështu thonë nxënësit të cilët që nga e hëna janë duke pritur për fatin e tyre para dyerve të shkollave të mesme “Aleksandër Xhuvani” dhe “Isa Boletini” në Podujevë.

Një nxënëse e cila deshi të mbetej anonim, tha për Llapi.info se është shumë e pa kënaqur pasi që shoku i saj i klasës me sukses më të dobët është pranuar ndërsa ajo jo.

“ Në klasë e kom pas e u pranu, suksesin e ka pas t’dobt edhe në shkollë edhe në test edhe u pranu e unë e shkëlqyeshme jo” tha ajo.

Përveç kësaj, edhe nxënës të tjerë të pa regjistruar janë shprehur të pa kënaqur, teksa kanë theksuar se nuk dëshirojnë që të shkojnë për të mësuar në Shkollën Teknike “Fan Noli”.

Mirëpo sipas Drejtorit të Drejtorisë së Arsimit në Podujevë, Avni Maloku, numri i paraleleve në Ekonomik dhe Gjimnaz është plotësuar.

“Në Ekonomik janë plotësuar të gjitha paralelet gjithashtu edhe në Gjimnaz, drejtimi natyror. Në drejtimin shoqëror edhe pse është plotësuar numri kemi kërkuar ndihmë edhe nga ministria. Në ekonomik janë mbyllë 20 paralele por vetëm nëse ka lëvizje të nxënësve për të mos mbetur klasa bosh e shfrytëzojmë këtë mundësi, edhe atë për nxënësit të cilët kanë shkuar në Prishtinë e kanë provuar në medicinë. Në shkollën e mesme Fan Noli kemi vende të mjaftueshme hala të lira. 5 prej 20 paraleleve nuk janë plotësuar tërësisht ato duhet plotësuar, sidomos drejtimet e reja si tekstili apo rrobaqepësia” tha Maloku.

Sipas Malokut nxënësit të cilët nuk janë regjistruar në kohën kur ka qenë afati i pranimit nuk do të pranohen më në ato shkolla.
“Nxënësit që kanë hy në konkurrencë të pranimit, sipas ligjit ata konkurrenca i qet jashtë konkurrence. Duhet të me qenë të vetëdijshëm që nëse ke shku në gjimnaz e je hi në konkurrencë e ke hupë, në gjimnaz më s’ke vend edhe pse në parim janë pranu dokumentet si kandidat i mundshëm” tha ai.

Ndërsa, se nxënës me sukses më të dobët u kanë zënë vendin atyre me sukses më të mirë, Avni Maloku tha se llogaritë e poentimit bëhen me specifika të lëndës.

“Në parim atyre u doket qashtu. Llogaritë e poentimit bëhen me specifika të lëndës. Nëse konkurron në gjimnaz shoqërorë nuk mblidhen pikët e matematikës, kimi e fizikë por mblidhen pikët e gjuhës shqipe. Llogaritë bëhen sipas suksesit të përgjithshëm dhe suksesit specifik të lëndëve në bazë të drejtimit ku shkon” tha ai.

Për fatin e këtyre nxënësve sipas Malokut, është kërkuar ndihmë edhe nga Ministria e Arsimit./Llapi.info