Gjendja e sigurisë në Komunën e Podujevës është e qetë dhe stabile. Kështu ka vlerësuar Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) në takimin e sotëm, ku është shqyrtuar edhe mundësia e vendosjes së kamerave të sigurisë në qytet dhe informata për intervenimet kundër zjarreve.

KKSB i në Podujevë, në mbledhjen e rregullt, të kryesuar nga kryetari i Komunës, Agim Veliu, ka analizuar gjendjen e sigurisë dhe ka shqyrtuar mundësinë për vendosjen e kamerave të sigurisë në qytet si dhe është informuar për intervenimet kundër zjarreve në territorin e komunës.

Komandanti i Stacionit të Policisë në Podujevë, Bekim Bislimi, gjendjen e sigurisë në Podujevë për periudhën raportuese dymujore, gusht-shtator, e ka vlerësuar të qetë dhe stabile.

Bislimi tha se krahas aktiviteteve të rregullta të policisë për një mjedis të sigurt edhe gjatë kësaj vere është zbatuar plani operativ në parandalimin e të shtënave më armë në ahengje “Festo me zemër e jo me armë”, duke thënë se sivjet ka pasur më pak të shtëna krahasuar me vitin e kaluar.

Komandanti i Policisë si problem shqetësues përmendi rrezikun që paraqesin qentë endacakë për qytetarët e në veçanti për nxënësit.

Lidhur me këtë çështje kryetari Veliu potencoi dy probleme lidhur me zgjidhjen e problemit të qenve endacakë: rregullativën ligjore dhe koston buxhetore për trajtimin e qenve endacakë.

Edhe përfaqësuesi i KFOR-it gjendjen e sigurisë në Podujevë e ka vlerësuar të qetë dhe stabile.
Bekim Bislimi në takimin e KKSB prezantoi edhe projekt-propozimin e vendosjes së kamerave sigurisë në qytet, duke thënë se realizimi i këtij projekti ka për qëllim ngritjen e nivelit të sigurisë për qytetarët dhe parandalimin e aktiviteteve të ndryshme kriminale.

Lidhur me këtë çështje KKSB rekomandoi që të bëhen përgatitjet dhe ndërmerren veprimet e nevojshme për realizimin e propozim-projektit për vendosjen e kamerave të sigurisë në qytet.

Në mbledhjen e sotme Faik Muçiqi – drejtor i Drejtorisë së Shërbimeve, Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim dhe Avni Fetahu – drejtor i Drejtorisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, informuan anëtarët e KKSB-së lidhur me intervenimet e zjarrfikësve, numrin e zjarreve dhe dëmet e shkaktuara nga zjarret.

Sipas raportit për periudhën janar – shtator 2016, Shërbimi i Zjarrfikësve ka pasur gjithsej 293 intervenime, ose 28.5 % më pak sesa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Janë regjistruar 217 raste të zjarreve (63 raste djegie të pyjeve dhe 56 raste djegie të fushave, hamulloreve…).

Gjatë raportimit u tha se bashkëpunimi dhe koordinimi i aktiviteteve në mes zjarrfikësve dhe policisë ka qenë në nivel të mire, kurse për shkak të motit me te reshura të shpeshta të shiut gjatë kësaj vere ka pasur më pak zjarre, si në pyje ashtu edhe në fusha.