Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka pritur sot në një takim Mark Wood – drejtorin e programit “Mundësitë e Reja për Bujqësi” (NOA) – USAID.

Sipas kumtesës komunale gjatë këtij takimi u bisedua për bashkëpunimin e deritashëm, veçmas në sektorin e bujqësisë, transmeton Llapi.info.

Në këtë takim drejtori i programit të USAID-it, Mark Wood, e informoi Veliun për projektin e ardhshëm që do të realizohet në bashkëpunim ndërmjet USAID-it dhe Komunës së Podujevës, që ka të bëjë me certifikimin e fermerëve kultivues të mjedrës.

“Me realizimin e këtij projekti fermerët kultivues të mjedrës do të pajisen me certifikatën Global GAP. Ky program dhe certifikimi u mundëson prodhuesve të mjedrës asnjë në tregun evropian”, tha Wood.

Veliu ka shprehur gatishmëri të plotë për realizimin e këtij projekti, duke e vlerësuar si të frytshëm partneritetin me USAID-in në programin kultivimin e mjedrës, gjë që e ka bërë Podujevën qendër referente në Kosovë për kultivimin e kësaj kulture të pemëtarisë së imtë.

“E mira e këtij projekti është se kultivuesit e mjedrës, pas pajisjes me certifikatën Global GAP, përveç që do të kenë qasje në tregun evropian do të kenë edhe një favor tjetër në plasmanin e produktit të tyre me çmim më të volitshëm”, tha ai./Llapi.info.