Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, së bashku me përfaqësues të Qendrës Rinore të Podujevës, ka përuruar Hartën orientuese të Podujevës, të vendosur në sheshin e qytetit, njofton Zyra për Marrëdhënie me Publikun dhe Informim e Komunës së Podujevës, transmeton Llapi.info.

Në një ceremoni solemne të organizuar në sheshin e qytetit në Podujevë, Veliu i shoqëruar nga asambleisti i kuvendit komunal Fidan Rekaliu dhe udhëheqësit e Qendrës Rinore, ka përuruar Hartën Orientuese të Qytetit, projekt i realizuar nga Qendra Rinore me mbështetje të Komunës së Podujevës.

Në këtë ceremoni Veliu tha se idetë kreative që vijnë nga të rinjtë dhe që kontribuojnë në funksion të komunitetit janë gjithmonë të mirëseardhura për qeverinë lokale.

“Me kënaqësi kemi pranuar ta mbështesim këtë projekt, i cili është shumë domethënës, sidomos për ata të cilët vizitojnë komunën e Podujevës për herë të parë. Kreativiteti i të rinjve gjithmonë do ta ketë mbështetjen e komunës së Podujevës”, tha Veliu.

Përveç kësaj, Veliu premtoi edhe realizimin e aktiviteteve të tjera në partneritet me organizatat rinore, me theks të veçantë në aktivitetet që nxjerrin në pah kreativitetin e të rinjve llapjanë.

Kurse, përfaqësuesi i Qendrës Rinore Bunjamin Hoti, u shpreh i kënaqur me bashkëpunimin e realizuar me Komunën e Podujevës. Ndërsa duke iu referuar hartës së vendosur tha se përmban informacione për vendet turistike të komunës, komplekset memoriale, institucionet publike dhe informacione të tjera të rëndësishme për vizitorët e komunës së Podujevës./Llapi.info